Miratohet fondi/ 610 milionë lekë për kompensimin e pronave
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Zonat e Stimuluara, Elbasan, Kamzë-Vorë, Vlorë, Sarandë, Lushnjë, Gjirokastër, Durrës, Tiranë Rurale 1, Fier, Lezhë dhe Shkodër.
“Masa e kompensimit është 67 652 (gjashtëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e dy) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 610 milionë e 250 mijë e 492 lekë. Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen” përcaktohet në vendim.
Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Zonat e Stimuluara, Elbasan, Kamzë-Vorë, Vlorë, Sarandë, Lushnjë, Gjirokastër, Durrës, Tiranë Rurale 1, Fier, Lezhë dhe Shkodër, duhet të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.