“Moody`s” jep lajmin e mirë – Do rrisim notën e borxhit të Shqipërisë dhe rajonit me procesin e anëtarësimit
Progresi drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian do të nxisë profilin e borxhit sovran të vendeve të Ballkanit Perëndimor duke forcuar institucionet, konkurrueshmërinë si dhe infrastrukturën, thotë agjencia e vlerësimit të kreditit Moody`s në një raport të publikuar së fundmi, të siguruar ekskluzivisht nga “Scan”.
Por, agjencia, pasi jep lajmin e mirë, nuk ngurron të bëjë edhe një parashikim disi të zymtë, duke projektuar një shtyrje në procesin e anëtarësimit të të 6 vendeve në union. Kjo, thotë Moodys, është rrjedhojë e sfidave politike komplekse në rajon që do të ndërpresin implementimin e reformave të kërkuara për procesin e anëtarësimit.
“Borxhi sovran në vendet e Ballkanit Perëndimor do të marrë një shtysë nga procesi i anëtarësimit në union. Përfitimet kryesore ekonomike do të burojnë nga investimet në infrastrukturë dhe përmirësimi i konkurrueshmërisë”-thotë Evan Wohlmann, zv. President i Moody`s, i cili është njëkohësisht bashkautor i raportit në fjalë.
Ndër të tjera, raporti nënvizon faktin se, rrugëtimi drejt Bashkimit Europian do të forcojë edhe institucionet kryesore fiskale dhe monetare të këtyre vendeve, përfshirë këtu bankat qendrore. Ndër të tjera, ky proces do të forcojë klimën e dobët të biznesit si dhe nxisë sektorin privat në rajon duke përmirësuar rritjen potenciale. Financimet nga Bashkimi Europian do të ndihmojnë duke ngushtuar deficitin e lartë të rajonit në infrastrukturë, forcuar sigurinë energjetike, dhe sidomos stimuluar tregtinë ndër-rajonale.
Gjithsesi, dinamika politike brenda këtyre vendeve por edhe mes tyre do të ngadalësojë përgatitjet si dhe hapin e reformave, ri nënvizon agjencia. Raporti i Moody`s vjen në një moment kritik në rajon, kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë në majë, në një kohë që Maqedonia ka zgjidhur problemin e saj madhor dhe po përgatitet të anëtarësohet në NATO, si dhe vetëm pak muaj përpara hapjes së negociatave mes Brukselit dhe Shqipërisë e Maqedonisë.
Rritja e notës së borxhit sovran të Shqipërisë nga Moody`s, që është një prej tre agjencive kryesore të vlerësimit të kreditit në botë, përkthehet në kosto më të ulëta huamarrje për qeverinë shqiptare. Vetëm pak ditë më parë, S&P njoftoi se nota e borxhit për vendin tonë mbetet e pandryshuar në B+ me perspektivë të qëndrueshme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.