“Moody`s” për ekonominë shqiptare – Rritja ekonomike e njëjtë, inflacioni më i ulët, rreziku nga jashtë largohet

Agjencia e vlerësimit të kreditit, Moody`s ka rishikuar indikatorët kryesorë makroekonomikë, e jo vetëm, të ekonomisë shqiptare në tërësi.
Raporti i qershorit, i siguruar nga “Scan” tregon se, qasja e institucionit ndaj rritjes ekonomike të vendit mbetet e pandryshuar, në 3.8% këtë vit dhe po kaq vitin e ardhshëm. Kriza politike që ka përfshirë vendin duket se nuk e ka detyruar gjigantin e vlerësimit të rishikojë projeksionet për rritjen ekonomike. Ndër indikatorët kryesorë makroekonomikë që është rishikuar është ai i ecurisë së çmimeve të konsumit. Sipas Moody`s, çmimet këtë vit do të rriten me një hap ndjeshëm të të ngadaltë se vlerësohej pak muaj më parë.
E njëjta gjë vlen edhe për vitin e ardhshëm. Këtë vit, projektohej që inflacioni të ishte në 2.9%, ndërkohë që tani vlerësohet në 2.2%, duke qëndruar sërish poshtë objektivit të Bankës Qendrore, që fiksohet në 3%. Një tjetër indikator i rëndësishëm që ka ndryshuar është ai i vulnerabilitetit të jashtëm, që i referohet rrezikut që i kanoset nga jashtë aftësisë për të shlyer detyrimet, duke pasur parasysh luhatjet e kursit të këmbimit në borxhin në valutë.
Ky indikator është përmirësuar ndjeshëm për këtë vit dhe atë të ardhshëm, krahasuar me raportin e kaluar, atë të Shkurtit. Vlerësimi për borxhin sovran të vendit mbetet i njëjtë në B1 me perspektivë të qëndrueshme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.