Mosdeklarimi i të ardhurave në kufi – Policia e Sarandës sekuestron 106 890 euro, procedohet penalisht shtetasi francez
Policia e Sarandës ka njoftuar se gjatë kontrolleve të ushtruara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si edhe si rezultat i shkëmbimit në kohë të informacionit me Policinë Kufitare të Rinasit, është goditur një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Policia ka shoqëruar shtetasin francez R. Ch., 70 vjeç dhe gjatë kontrollit këtij shtetasi i janë gjetur 106 890 euro dhe 102 dollarë.
Sipas njoftimit të policisë ky shtetas kishte hyrë në Shqipëri nëpërmjet aeroportit të Rinasit dhe nuk kishte deklaruar shumën e të hollave në kufi, sipas ligjit dhe në momentin e gjetjes së shumës së parave nuk dispononte dokument me vete për të justifikuar burimin e tyre.
Nën drejtimin e prokurorisë, u kryen veprimet procedurale, u bë sekuestrimi i shumës së parave dhe shtetasi R. Ch. u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Gjithashtu, ky shtetas u procedua edhe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.