Moti i keq – OSHEE: Dyfishohet numri i punonjësve në terren
OSHEE ka njoftuar se moti i keq do të vijojë edhe në 24 orët në vazhdim.
Gjatë natës ka pasur stuhi ere dhe reshje shiu, gjë që ka sjellë problematika në rrjetin e shpërndarjes.
Sipas parashikimeve, OSHEE tha ky mot do vazhdojë ndaj edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka dyfishuar stafet në terren me bazë materiale për tu përballur me pasojat e kohës së keqe.
Sipas informacioneve përkatëse të OSHEE, Shkodra dhe Burreli janë rajonet më të prekura.
Në zonat rurale paraqiten disa vështirësi në riparimin e defekteve kryesisht ku janë avari në linjat ajrore, gjë që sjell dhe vonesa në riparimin e tyre për shkak të terrenit të vështirë në të cilin kalojnë këto linja.
Gjithashtu njoftimi thekson se një pjesë e konsiderueshme e fiderave prej rreth 40% janë stakuar si masë sigurie për ti paraprirë ndonjë defekti të mundshëm në rrjet si rezultat i këtij moti jo të qëndrueshëm.
OSHEE vazhdon punën intensive në terren për rikthimin e normalitetit në gjithë zonat e prekura nga moti i keq.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.