Motorët, cili është “benzi” i shqiptarëve? – “Dayang” më e preferuara në 2020-ën, nuk njeh rivalë
Ndërkohë që Mercedes-i është mbreti i rrugëve në Shqipëri, po për motorët, kamionët apo autobusët, cili është “benzi” i shqiptarëve? Sa i përket motorëve, gjatë 2020-ës, shqiptarët kanë preferuar masivisht, me diferencë të ndjeshme me ndjekësit, një markë që mban emrin “Dayang”, e për të cilën pak, ose aspak informacione mund të gjesh në internet, për kompaninë apo origjinën, thonë të dhënat më të fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR).
Janë 885 motorë që mbajnë këtë markë të regjistruar gjatë vitit të kaluar në vendin tonë. Në vend të dytë ndjek Yamaha me vetëm 266 regjistrime. “Lifan” me 250 regjistrime mbyll 3-shen e parë.
Për kamionët dhe autobusët ndërkohë, rigjejmë Mercedes Benz-in në krye. Logo me tre cepa vijon të jetë e preferuara në Shqipëri edhe për këto dy kategori. Sa i përket autobusëve, gjatë 2020-ës në vend të dytë qëndron “Setra”. Ndërsa sa i përket kamionëve, “Mercedes-i” ndiqet po nga “Mercedes-i”, por me emrin e ri, atë të pas 2014-ës, “Daimler Chrysler”.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.