Nafta, jo më e shtrenjta/Shqipëria, e 21-ta në Europë, më e lirë se Mali i Zi, Kroacia

Në kontrast me perceptimin e përgjithshëm, Shqipëria nuk është ndër vendet europiane që ka çmimet më të larta të karburanteve. Madje, sipas çmimeve më të fundit të publikuara nga Globalpetrolprices, Shqipëria nuk është as më e shtrenjta në rajon. Sipas faqes prestigjioze, që ofron edhe çmimet e referencës për çdo vend të Botës, një litër naftë në Shqipëri kushton 1.35 dollarë. Ndër 42 vende europiane, Shqipëria renditet në vendin e 21-të.
Madje, vendi ynë lë pas në këtë renditje edhe disa prej fqinjëve, si; Mali i Zi, Kroacia apo Greqia. Në Mal të Zi, një litër naftë, në të dhënat që janë mbledhur më datë 30 janar të këtij viti, kushton 1.39 dollarë, në Kroaci, 1.43 dollarë, dhe në Greqi 1.69 dollarë.
Por nga ana tjetër, në Serbi, çmimi i një litri naftë fiksohet në 1.25 dollarë, në Maqedoni 1.16 dollarë dhe në Bosnje Hercegovinë vetëm 1.02 dollarë, që e bën edhe vendin më të lirë në rajon. Kjo e fundit është edhe vendi i 5-të më i lirë në Europë për karburantet.
Çmimi i naftës në vend është bërë shpeshherë objekt debatesh, si në opinionin publik, ashtu edhe në përplasjet e politikës, ndërkohë që vazhdimisht janë etiketuar taksat e larta si shkaktare të çmimeve të fryra.
Në vend të parë në rang kontinenti, qëndron Bjellorusia, ku një litër kushton vetëm 0.62 dollarë amerikanë. Më e shtrenjta ndërkohë duket se është Norvegjia, ku litri kushton jo më pak se 1.9 dollarë.
Norvegjia është edhe vendi i dytë më i shtrenjtë në Botë, duke qëndruar pas Hong Kongut, ku litri kushton 1.93 dollarë. Vendet më të lira ndërkohë janë ato të zakonshmet, pavarësisht se, gjatë viteve të fundit, për shkak të krizës së tregut, ka pasur disa ndryshime.
Venezuela vijon të mbajë vendin e parë, me një litër që kushton vetëm 0.01 dollarë amerikanë, çka përkthehet në pak më shumë se një lek për litër. Në vend të dytë qëndron Arabia Saudite, por mjaft më e shtrenjtë se më parë, për shak të politikave të Mbretërisë. Tashmë në vend, një litër naftë kushton 0.24 dollarë. Në vend të tretë renditet Turkmenistani, me 0.28 dollarë.
Roel Korkuti/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.