Ndahet hekurudha shqiptare – Projektligji/ Proces i vonuar, pengesë për investitorët e huaj
Pas më shumë se një viti të nxjerrë për konsultim publik, projektligji që parashikon ndarjen e shoqërisë “Hekurudha shqiptare” ka mbërritur në Kuvend për diskutim. Dokumenti parashikon krijimin e 4 shoqërive e më konkretisht do të krijohet shoqëria Aksionere Hekurudhore për Infrastrukturën, Shoqëria për Transportin e Pasagjerëve, shoqëria për transportin e Mallrave dhe ajo për Mirëmbajtjen e Mjeteve Lëvizëse. Ndërkaq, në realicioni shoqërues theksohet se projektligji është me prioritet të lartë pasi që ai duhet të ishte zbatuar tashmë pas hyrjes në fuqi të Kodit Hekurudhor, në korrik 2018.
Gjithashtu, sipas dokukmentin tregu kërkon urgjentisht krijimin e Administratorit të Infrastrukturës si subjekt i ndarë nga proceset e transportit hekurudhor. Kjo pasi, aktualisht, në treg janë tre transportues hekurudhorë privatë, interesat e së cilëve bien ndesh me interesat e Hekurudhës Shqiptare, që sot ka pronësi dhe transportet. Nga ana tjetër, kjo është një kërkesë e vazhdueshme nga BE-ja, pasi çdo investitor i huaj në fushën hekurudhore kërkon që të bashkëpunojë me administratorin e infrastrukturës që ka llogari të pastra nga çdo operues apo transportues në infrastrukturëne tij.
Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, në programin Buxhetor Afatmesëm 2020-2022, është parashikuar fondi 400,000,000 lekë për mbështetjen e Sektorit të Hekurudhës. Me këtë fond mbulohen shpenzimet për paga dhe sigurime shoqërore për punonjësit ekzistues të administratës që do të shpërndahen në katër shoqëritë e reja që dalin nga ristrukturimi.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.