Ndërmjetësimi i detyrueshëm për çështjet deri në 1 milion lekë! Por sa kushton procesi? Flet kryetarja e Dhomës, Drita Avdyli
Ndërmjetësimi është veprimtari jashtëgjyqësore, ku palët kërkojnë e zgjidhin konfliktet dhe mosmarrëveshjet me anë te ndërmjetësit. Por nëse deri tani, zgjedhja ose jo e procesit te ndërmjetësimit ka qenë tërësisht ne vullnetin e palëve, me ndryshimet ligjore, ndërmjetësimi do të jetë i detyrueshëm për një kategori çështjesh me vlerë pasurore deri në 1 milion lekë.
Drita Avdyli, Kryetare e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve, e ftuar në emisionin “PërTëfol”, në TV Scan me gazetaren Dafina Hysa, tregon se nga viti në vit, numri i çështjeve të zgjidhura jashtë gjykatës, ka ardhur në rritje për shkak të avantazheve që ofron si procedurë si në kohë ashtu edhe në kosto.
Por ndryshimet ligjore, pritet të shoqërohen edhe me një fluks më të madh pune për ndërmjetësit. Fillimi i procesit të ndërmjetësimit, ka një kosto prej 5 mijë lekësh, pasi pagesa tjetër për profesionistin që zgjidh konfliktin, bëhet në rast se lidhet marrëveshje mes palëve, që përbën në vetvete titull ekzekutiv.
Për çështjet e detyrueshme për t’u zgjidhur me ndërmjetësim(me objekt pasuror deri në 1 milion lekë), nëse palët nuk nënshkruajnë marrëveshje brenda 60 ditësh, atëherë çështja zgjidhet në rrugë gjyqësore. gAktualisht në gjithë vendin ushtrojnë aktivitetin 70 ndërmjetës, por nga nëntori do të nisë trajnimi edhe për dhjetëra të tjerë.
Ndërmjetësi nuk mund të vendosë, por vetëm ndihmon palët në negocime me sugjerime për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes tyre, inkurajon zgjidhjen e problemit dhe harton marrëveshjen kur palët bien dakord.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.