Ndërmjetësit imobiliarë, opozita kundër – Pirdeni: Tregu i pronave, me risk të lartë për pastrim parash. Rritet mbikëqyrja
Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar të martën Projektligjin për Ndërmjetësit e Pasurive të Paluajtshme, detyrë primare e të cilëve do të jetë mbikëqyrja e transaksioneve në këtë treg dhe raportimi i rasteve të dyshimta pranë strukturave përgjegjëse për rrezikun e pastrimit të parave. Zëvendësministrja e Drejtësisë Adea Pirdeni argumentoi para deputetëve të Komisionit, se tregu i pasurive të paluajtshme vlerësohet si një prej sektorëve me riskun më të lartë për pastrimin e parave dhe se këta profesionistë do jenë një hallkë shtesë në evidentimin dhe raportimin e rasteve të dyshimta.
Por deputetët e opozitës në Komision e komentuan projektligjin si një tjetër përpjekje të qeverisë për të shtuar kontrollin me profesionet e lira.
Sipas Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, ndërmjetësit do të kenë kontakte të detajuara me palët e përfshira në transaksionet e pronave, duke shtuar më shumë vëmendjen ndaj rasteve të dyshimta.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.