Ndërtimet informale, qeveria miraton kompensimin për pronarët në Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Durrës. Lista e përfituesve pas verifikimit të ATP-së

Qeveria ka miratuar listën e pronarëve që përfitojnë kompensim financiar për pasuritë e paluajtshme, pronat e të cilëve janë prekur nga ndërtimet informale. Bëhet fjalë për kompensimin financiar të pronarëve, për pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet e zëna nga ndërtimet informale në drejtoritë e ALUIZNI-t: Tiranë Veri, Tiranë shtesat, Vlorë, Elbasan dhe Durrës. Sipas vendimit të fundit të qeverisë masa e kompensimit është për 20 872,79 (njëzet mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy presje shtatëdhjetë e nëntë) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 417 065 686,31 lekë
“Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përkatësisht, në Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Durrës do të kryejë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Agjencia e Trajtimit të Pronës, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi” thuhet në vendim.
Agjencia e Trajtimit të Pronës njofton se dje ka përfunduar procesi i shqyrtimit të disa kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që deri më tani përfitojnë kompensimin/shpërblimin e saj deri në masën 70% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me Vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.
“Procesi shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar, dhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar. Në përfundim të këtij procesi, për 63 kërkesave depozituara në Agjencinë e Trajtimit të Pronës është shpërndarë kësti i parë, i dytë, i tretë, i katërt dhe i pestë (në total 70% të vlerës totale të miratuar me VKM-të përkatëse), në shumën e përgjithshme prej 98 916 723.56 (nëntëdhjetë e tetë milion e nëntëqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e njëzet e tre pikë pesëdhjetë e gjashtë) lekë. Agjencia e Trajtimit të Pronës njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë në gjendje në llogaritë e tyre bankare në ditët në vazhdim”, thuhet në njoftimin e ATP-së. Për listën e përfituesve klikoni KËTU
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.