Ndihmë ligjore e sociale – Gjonaj: Asistencë për 4.500 shqiptarë që vuajnë dënime jashtë
Shqiptarët që vuajnë dënimet jashtë kufijve kanë mbledhur paraditen e së hënës titullarët e tre ministrive si dhe numrin dy të Kuvendit. Synim i takimit ka qenë hartimi i një platforme për të asistuar juridikisht dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të këtyre personave në vendet ku ata vuajnë dënimet. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se shkon në 4.500 numri i qytetarëve shqiptarë në 6 vendet me praninë më të madhe të bashkëkombësve tanë. Ajo tha se do të ndërmerren masa për asistimin e tyre me informacion ligjor përmes rrugëve të ndryshme, si dhe me krijimin e një rrjeti avokatësh shqiptarë në këto vende që do kenë detyrë mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha se vështirësi në ndjekjen e rasteve të të burgosurve jashtë kufijve hasen në vendet jashtë Bashkimit Evropian, si dhe në shtetet ku Shqipëria ka prani të reduktuar diplomatike.
Një kujdes i veçantë do t’u kushtohet respektimit të të drejtave të azilkërkuesve shqiptarë, të cilët jo rrallë trajtohen apo mbahen nëpër vende të papërshtatshme.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.