Ndikimi i BSH në zbutjen e recesionit: “Politika monetare ka kontribuar me 3.7 pikë përqindje në rritjen e PBB në 2020-ën”
Banka e Shqipërisë ka publikuar raportin vjetor të aktivitetit të institucionit përgjatë vitit 2020, që është edhe ndër vitet më të vështira për ekonominë globale dhe atë shqiptare si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia.
Banka e Shqipërisë vlerëson se: “Pandemia COVID-19 dominoi zhvillimet ekonomike të vitit 2020. Masat e marra për frenimin e saj dhe rritja e pasigurisë shkaktuan rënie të kërkesës e të prodhimit, rritje të papunësisë, dhe vështirësi financiare për bizneset dhe familjet shqiptare. Në këtë kontekst ekonomik, presionet inflacioniste mbetën të ulëta dhe inflacioni qëndroi poshtë objektivit 3%.
Politikat ekonomike – fiskale, monetare, financiare – reaguan në kohë dhe në mënyrë të koordinuar. Politika monetare u bë më stimuluese. Stimuli monetar ndihmoi funksionimin e mirë të tregjeve financiare, uljen e normave të interesit dhe të primeve të rrezikut, si dhe në mbështetjen me kredi bankare të familjeve dhe bizneseve shqiptare në një kohë pasigurie”.
“Masat e marra kontribuuan në zbutjen e pasojave të pandemisë për bizneset dhe familjet shqiptare dhe në ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar, duke krijuar premisa për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë. Ky është një parakusht i nevojshëm për kthimin e inflacionit në objektivin tonë 3%. Politika monetare do të ruajë kahun e saj stimulues në afatin e mesëm, duke ndihmuar rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe kthimin e inflacionit në objektiv”-thotë ndër të tjera institucioni.
Ndërhyrjet e bankës në politikat monetare, vlerësohen të kenë pasur një impakt të madh në zbutjen e recesionit ekonomik në vendin tonë gjatë vitit të kaluar. Sipas vetë institucionit, këto ndërhyrje kanë ndikuar me 3.7 pikë përqindje në rritjen reale të prodhimit të brendshëm bruto të vendit përgjatë 9 muajve të parë të vitit të kaluar. Ky impakt duket të jetë ndjeshëm më i madh se në periudhën para krizës.
Politikat monetare kanë dhënë një kontribut mesatar prej 0.83 pikë përqindje në rritjen ekonomike të vendit gjatë viteve 2017-2020, nënvizon banka.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.