Ndryshimi i ligjit të barnave -“Dilemë” nëse 150 ndihmësfarmacistë do të ofrojnë shërbim
Nisma e deputetëve të Komisionit parlamentar të Shëndetësisë për të lejuar që të ofrojnë shërbim farmaceutik 150 ndihmësfarmacistë të cilët janë në prag pensioni, nuk ka mundur të kalojë as këtë herë. Ky ndryshim sipas specialistëve bie në kundërshtim me ligjin aktual.
Ndërkohë që nga ana e Urdhrit të Farmacistëve shihet si një diskriminim jo vetëm për profesionistët por edhe për qytetarët. Një farmacisti në vendin tonë i duhet të shërbejë për rreth 900 banorëve. Ky është raporti i ofrimit të shërbimit farmaceutik në Shqipëri, që në zonat rurale mbulohet me ndihmësfarmacist. Aktualisht ligji për barnat dhe shërbimin farmaceutik ka një kontradiktë lidhur me ushtrimin e profesionit të ndihmësfarmacistit, i cili lejohet që të punojë vetëm në zonat rurale pranë agjencive farmaceutike dhe jo në farmaci.
Në ligjin për barnat dhe shërbimin farmaceutik sanksionohet që në njësitë administrative ku nuk ka farmaci, mund të hapen agjenci farmaceutike me drejtues teknik ndihmësfarmacist. Në të gjithë vendin ushtrojnë aktivitetin e tyre 130 agjenci farmaceutike, thënë ndryshe farmaci që administrojnë një numër të reduktuar medikamentesh.
Pritet që nesër Komisioni i Shëndetësisë të kryej një dëgjesë me përfaqësues të Urdhrit të Farmacistëve në vend për t’u konsultuar në lidhje me ndryshimet që mund të bëhen.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.