Në 5 muaj 115 mijë të huaj më shumë në vend – Fluturimet rriten me 36,1%

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri gjatë muajit Maj ka patur një rritje të lehtë prej 0,4% krahasuar me Majin e 2016-ës. Kjo është një ndërprerje në ecurinë shumë pozitive në hyrjet e të huajve gjatë këtij viti, kur vetëm për pesëmujorin e parë kanë hyrë 1,321,474 shtetas të huaj, një rritje me 9,5% ndaj një viti më parë.
Shumica e të huajve të hyrë gjatë këtij pesëmujori në vendin tonë kanë patur qëllime personale, ku për pushime dhe vizitë njëditore kanë hyrë rreth 393 mijë shtetas, shifër kjo konsiderueshëm më e lartë se Janar-Maj 2016, kur për të njëjtat arsye e vizitonin vendin tonë vetëm 268 mijë shtetas të huaj.
Në rritje me 21,5% është gjithashtu edhe numri i të huajve që vijnë në Shqipëri për qëllime profesionale apo biznesi. Rreth 25 mijë shtetas të huaj kanë deklaruar këtë qëllim në pikat kufitare të vendit.
Por Maji ka rezultuar pozitiv për kompanitë ajrore, të cilat kanë fluturuar në vendin tonë 107 mijë shtetas vendas e të huaj, një rritje prej 36,1%. Rritje ka patur edhe në numrin e shtetasve të hyrë në mënyrë detare me 31,9%, ndërsa hyrjet në rrugë tokësore kanë rënë me 8,3%.

Shtetasit italianë, grekë, malazezë dhe të shtetësive të tjera zënë një vend më të madh në totalin e të huajve që hyjnë në Shqipëri krahasuar me vitin e kaluar, teksa janë shtetasit nga Kosova me përqindjen në rënie, sa i përket këtij treguesi.
Ndryshim ka patur edhe në lëvizjet e shtetasve të huaj dhe shqiptarë jashtë Shqipërisë, një ulje me 2,1% krahasuar me Majin e kaluar, ndikuar pjesërisht edhe prej periudhës së fushatës zgjedhore.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.