Nga heqja e komisioneve për ‘Pagën e Luftës” te monitorimi 10 ditor i sjelljes së bizneseve të mëdha! Kryeministri zbulon detaje të paketës ekonomike
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të bëjë një dalje publike, me ato që i cilësoi si “lajme të mira”.si fillim, kryeministri njoftoi se për pensionistët shqiptarë janë hedhur 21 milkonë dollarë dhe pension ii tyre është indeksuar që këtë muaj dhe po u shërbehet në shtëpi.
Po ashtu, ai tha se tatimet kanë filluar marrjen e aplikimeve online nga bizneset e vogla që do të marrin atë që është cilësuar si “pagë lufte”.
Duke iu referuar diskutimit të bërë me bankat, kryeministri bëri me dije se për këtë pagesë nuk do të mbahet asnjë komision. Në listë janë 60 mijë e 421 individë që janë identifikuar si përfitues se kanë mbyllur biznesin e që duhet të aplikojnë në faqen online të Tatimeve. Deri më tani, janë 1852 persona që kanë aplikuar.
Kryeministri inkurajoi që të aplikojnë edhe taksistët apo edukatorët në privat pasi janë kategori përfituese.
Një lajm tjetër që dha kryeministri ishte se është gati për lëvrim dyfishi i ndihmës ekonomike për familjet në nevojë, që janë pjesë e skemës.
Sa i përket bizneseve të mëdha, kryeministri kujtoi se për to është diskutuar dhe dakordësuar me bankat për mënyrën sesi do të veprohet.
Kryeministri paralajmëroi se fondi i garancisë shtetërore për bizneset e mëdha do të shoqërohet me masa shtesë ndërsa pranoi ekzistencën e pikëpyetjes nëse bizneset e mëdha do të zgjedhin kredinë për të paguar punonjësit apo do të zgjedhin rrugën tjetër, atë të shkurtimit të tyre. Për këtë të fundit, kryeministri tha se “nuk do të rrihet symbyllur”
“Ne kemi bërë një takim me bankat dhe kemi marrë garancinë se instrumenti financiar 100 mln usd i garancisë sovrane për të paguar punonjësit do të funksionojë menjëherë. Jemi garantuar se edhe shtyrja e kësteve do bëhet siç e e kemi urdhëruar bashkërisht me Guvernatorin.
E di që ka pasur probleme ndaj e theksoj. E di mirë se kemi një problem real me ata që punojnë në të zezë dhe tani rrijnë në shtëpi por ne nuk mund të bëjmë dot asgjë symbyllur në këtë drejtim. Nuk ndajmë dot symbyllur një ndihmë për kë punon në të zezë dhe pastaj do vijë kushdo e do kërkojë një pagë lufte se kam punuar në të zezë.
E di mirë që shumë punonëjsve po u shkurtohet puna ndërkohë që shumë gjinkalla thonë që ne duhet të shkojmë përtej garancisë sovrane se nuk do e shfrytëzojnë. Mbase do na duhet të shkojmë edhe përtej garancisë sovrane po jo sot dhe jo symbyllur. Së pari në 10 ditët e ardhshme do analizojmë sjelljen e kompanive në raport me instrumentin që u kemi vënë në dispozicion” tha kryeministri.
Sa i përket personelit shëndetësor, kryeministri tha se këtë muaj mjekët dhe infermierët do të marrin bashkë me pagën edhe bonusin 1 mijë euro.
Ndërsa personeli mbështetës, në front, deri te sanitarët dhe shoferët e urgjencës, do të kenë 500 euro plus pagës deri kur të kalojë situata e pandemisë.
Kreu i qeverisë tha se po punohet edhe për të siguruar financime nga jashtë me qëllim vendosjen e tyre në funksion të ekonomisë shqiptare megjithatë pranoi se për momentin situata nuk është shumë e përshtatshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.