Ngjela për SCAN: Çfarë i pret gjyqtarët? “Ranë në grackën e pasurive, disa janë bërë të uritur, pas kanë SPAK e BKH”
Boshatisja e gjykatave nga Vetting-u është një e keqe që u kushton shqiptarëve shumë më pak nga korrupsioni masiv që ka kapur prej vitesh gjyqësorin shqiptar. Është ky vlerësimi që i bën Avokati i njohur Spartak Ngjela efekteve të deritanishme të Vetting-ut.
Në një intervistë eksluzive për Vetting.Al Ngjela thotë se shqiptarët vuajnë shumë më tepër nga gjyqtarët që po fitojnë ç’të munden deri në ditën e shkarkimit se sa vonesa edhe për disa muaj të tjerë e Gjykatës së Lartë.
Ngjela e sheh procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve si një kërkesë të partnerëve ndërkombëtarë e cila ka hyrë në një rrugë pa kthim për të shkuar te hetimi e konfiskimi i parave të krimit e korrupsionit.
“Ligji e lë deri këtu për tani, por pasi të ngrihet Byroja e Hetimit dhe SPAK, të gjitha pasuritë e pajustifikuara do të shkojnë nën hetim. Patjetër. Në fakt këtë dëm ja bënë vetes. Ata ua falën. Politika ecën me benefice, në funksion të shpejtësisë.
Atyre ju tha, mos na pengoni e merrni ç’keni marrë, thjesht ikni. Sepse ata në fund të fundit nuk kishin vjedhur shtetin, por kishin abuzuar me individin, të themi me 15% apo 10% të popullsisë, madje mund të jenë edhe më pak.
E më tej kishin ndihmuar kriminalitetin, dihet që kriminelët e mëdhenj paguanin e liheshin të iknin. Ky dëm nuk është aq i madh sa ai që vjen nga korrupsioni shtetëror, vjedhja e pronës publike. Atyre ju dha mundësia të largpheshin, dhe procesi do vijonte me mbushjen e vakancave, po ata (gjyqtarët e prokurorët) nuk ikën” shprehet Ngjela.
Problem kryesor për Ngjelën mbetet ajo kategori gjyqtarësh që në pritje të shkarkimit shfrytëzojnë momentet e fundit të pushtetit për të bërë sa më shumë para të munden.
“Janë bërë më të uritur se e dinë që do të ikin e thonë të marrim ç’të marrim. Ajo kategori që japin drejtësi, e që e bëjnë gjithnjë këtë, po vijojnë normalisht punën. Problem janë ata që janë të korruptuar e që e dinë e do ikin.
Duhet të keni parasysh një gjë: ONM por heton pasuritë jo sipas deklaratave aktuale, por atyre deklaratave që ishin bërë në atë kohë “kur deti ishte kos”. Njëri kishte deklaruar se ja kishte dhënë gjyshja apo gjëra të tilla, dhe institucioni që i kontrollonte deklaronte se qenë pasuri normale.
Ato deklarata e u morën e po përdoren. A ka logjikë që gjyshja që jeton në kasolle t’i ketë dhuruar pasuri 400 mijë euro? U kapën deklaratat e vjetra të pasurisë, pasi ju siguroj që nëse do të ishte bërë tani, deklarata e pasurisë nuk do të qenë si ato që po shohim, të paktën nuk do kishin qenë kaq trashë” tha avokati i njohur.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.