“Nuk financojmë dot kontratat e reja për rrugët!” – ARRSH kërkon fonde shtesë: Nuk likuidohen as vendimet gjyqësore
I gjithë buxheti i akorduar për Autoritetin Rrugor Shqiptar shkon për kontratat e lidhura, ndërkohë që ky institucion nuk ka mundësi të financojë kontrata të janë lidhur gjatë vitit 2021 apo që mund të lidhen në muajt në vijim”. Gjithçka përcaktohet në raportin e monitorimit të zbatimit të buxhetit për 4-mujroin e parë të këtij viti, të hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke theksuar nevojën për fonde buxhetore shtesë.
Paralelisht, deri në datën 30 prill 2021 ARRSH ka krijuar detyrime të prapambetura, me një vlerë totale prej 1.46 mld lekë. Në total fondet e planifikuara për këtë dikaster janë rreth 8 mld lekë, ndërkohë që për 4-mujorin janë shpenzuar 2.96 mld lekë apo 37% e totalit. Ndërkaq, detyrimet e prapambetura në fund të vitit 2020 në ARRSH ishin në total në vlerën e 537mln lekëve , ku 292.7 mln lekë vetëm për vendime gjyqësore dhe 244,3 mln lekë për kontrata e mirëmbajtjes.
Ndërkohë që, duke qenë se buxheti i vitit 2021 i zërit investime është më i vogël se nevojat që ka ARRSH-ja për fonde buxhetore, është parashikuar likuidimi i vetëm 40,000,000 lekë të detyrimeve të zërit Vendime Gjyqësore ose 13.7% e totalit. Por mesa duket kjo situatë do të korrigjohet me rishikimin e buxhetit, të bërë nga qeveria përmes Aktit Normativ e të miratuar edhe në seancë plenare, ku është parashikuar rritje e fondeve për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Sipas tabelave shoqëruese, fondet për infrastrukturën në total u rritën me rreth 82 milionë euro. Këto fonde u shkurtuan nga sektorë të tjerë, sikurse është arsimi dhe shëndetësia.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.