Operacionet e parasë – BSH bleu 19.3 mln euro në tremujorin e parë
Banka e Shqipërisë ka blerë 19.3 milionë euro në tregun valutor vetëm në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të publikuara nga banka qendrore mbi ndërhyrjet në tregun e parasë, në dy ankandet e zhvilluara në shkurt dhe mars shuma e blerë ka shkuar edhe përtej parashikimeve.
Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë pati blerë 71.2 milionë euro në tregun valutor, në kuadër të procesit të rritjes së rezervës valutore. Pavarësisht nga kjo kërkesë e konsiderueshme, zhvlerësimi i euros ka vijuar, si në tremujorin e parë, ashtu edhe në tremujorin e dytë, madje me ritme më të larta.
Ndërhyrjet në tremujorin e dytë do të bëhen publike me rreth tre muaj vonesë, ashtu siç është praktikë e Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, në kalendarin e ndërhyrjes banka qendrore ka pasur të planifikuara tre ankande të tjera për blerjen e euros, me qëllim rritjen e rezervës valutore.
Veç këtyre ndërhyrjeve të planifikuara më parë, në muajin qershor janë zhvilluar edhe operacione të tjera për blerje valute, të orientuara shprehimisht në frenimin e mbiçmimit të lekut kundrejt euros.
Kjo u vendos në mbledhjen e qershorit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, me argumentin që forcimi i shpejtë i lekut po neutralizonte presionet e jashtme inflacioniste.
Së fundmi, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë duket se kanë arritur ta stabilizojnë kursin e këmbimit të euros pranë nivelit të 126 lekëve. Sipas kursit zyrtar të këmbimit, euro u këmbye të martën me 125.88 lekë.
Duke filluar nga java e kaluar, luhatjet në kursin euro-lek kanë qenë të papërfillshme dhe, të paktën për momentin, synimi i bankës qendrore është arritur.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.