Operacioni “Kolaudimi 2”, Policia vë në pranga 4 shtetas – Kalonin mjete me mangësi teknike
Katër shtetas janë vënë në pranga nga Policia për veprimtari korruptive në kuadër të operacionit të koduar “Kolaudimi 2”. Shtetasit e arrestuar për janë një inxhinier i Pikës së Kolaudimit të Mjeteve në Fushë-Prezë me iniciale A.A dhe 3 agjentë kompanie sigurimi të mjeteve, shtetasit me iniciale A.C, G.S, H.M.
Nga hetimet e kryera, rezulton se shtetasit e arrestuar gjatë kontrollit teknik, kanë kaluar mjete me mangësi teknike duke iu kërkuar dhe marrë shuma monetare pronarëve të këtyre mjeteve.
Sipas njoftimit të Policisë, agjentët e kompanive të sigurimit të mjeteve (konkretisht shtetasit A.C, G.S, H.M) luanin rolin e sekserit midis pronarëve të mjetit dhe Inxhinierit të Pikës së Kolaudimit të Mjeteve.
Ndërkohë, Policia bën me dije se po punohet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari korruptive.
“Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprat penale “Korrupsioni pasiv në sektorin privat” dhe “Falsifikimit të dokumenteve” parashikuar nga nenet 164/b dhe 186/3 të Kodit Penal në ngarkim të shtetasit A. A., për veprën penale “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm kryer në bashkëpunim” parashikuar nga neni 245/2-25 të Kodit Penal në ngarkim të shtetasit A. C., për veprat penale “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm” dhe “Moskallëzim krimi” parashikuar nga nenet 245/2 dhe 300 të Kodit Penal në ngarkim të shtetasve G. S., dhe H. M.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.