Pagat më të ulta në Europë – Raporti i BB, Shqipëria mes pesë vendeve të fundit
Raporti më i fundit i Bankës Botërore të të bërit biznes, vendos një fokus të veçantë te tregu i punës, pasi mban titullin: reformim për të krijuar vende pune.
Pjesë e raportit të Bankës Botërore është edhe një tabelë me të dhëna të ndryshme mbi tregun e punës në të 190 ekonomitë e botës që merren në vlerësim nga institucioni me bazë në Washington.
Këto të dhëna shërbejnë si një bazë e mirëfilltë krahasuese, dhe tregojnë diferencën e theksuar mes ekonomive. Nga këto të dhëna, rezulton se, Shqipëria është një ndër 5 vendet me pagat më të ulta në rajon.
Si referencë merret puna e një shitësi ose shitëseje, rreth 19 vjeç dhe me një eksperiencë 1 vjeçare pune. Rezulton se, për vendin tonë, kjo pagë fiksohet në 182.3 dollarë, çka përkthehet në 24 mijë lek të pagës minimale ligjore në vendin tonë.
Kjo shifër e vendos Shqipërinë në listën e pesë vendeve me pagën minimale më të ulët në Europë, si dhe vendin e parafundit në rajon. Më keq se vendi ynë është Bjellorusia me 156.9 dollarë në muaj, Kosova me 150 dollarë në muaj, Ukraina me 133.8 dollarë në muaj, si dhe Moldavia me 110.5 dollarë në muaj.
Në rajon, Shqipëria dhe Kosova janë vendet me pagat më të ulta, ndërkohë që në Mal të zi, paga minimale fiksohet në 218.9 dollarë në muaj, Maqedoni, 242.5 dollarë, Serbi 212 dollarë dhe Bosnje Hercegovinë 232.5 dollarë në muaj.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.