Paketa Fiskale/ Komisioni miraton projektligjet, rritet paga dysheme dhe shtyhet akciza e ngrohjes!

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, njoftoi se ka miratuar projektligjet e Paketës Fiskale të cilat shoqërojnë projektligjin “Për Buxhetin e vitit 2022”. Nisur nga situata aktuale e krizës energjetike, u vendos që aplikimi i unifikimit të çmimit të gazit me 6 lekë/litër për të gjithë përdoruesit të fillojë të aplikohet nga 1 korriku 2022.
Projektligjet e miratuara specifikisht janë si më poshtë shënuar:
Në projektligjin për taksat kombëtare:
- U miratua vendosja e taksës kombëtare për qumështin pluhur (100 lekë/kg), për hirrë qumështi (150 lekë/litër), për pijet e homogjenizuara (16 lekë/litër) dhe për krem qumështi (150 lekë/ litër), taksave këto të vendosura me fokus sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.
- U vendos taksa në masën 40 lekë/litër për lëndën djegëse të përdorur si karburant për mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi.
Në projektligjin e akcizave:
- U vendos si afat maksimal i zbatimit të politikës së rimbursimit për industrinë prodhuese, data 31 dhjetor 2023.
Në projektligjin për TVSH-në:
- U hoq përjashtimi nga TVSh-ja i inputeve bujqësore duke u zëvendësuar me vendosjen e një shkalle të reduktuar të tvsh-së në masën 10%.
Në projektligjin për tatimin mbi të ardhurat:
- U miratua, rritja e pagës dysheme të patatueshme (me tatim zero %), për të ardhurat nga paga në intervalin nga 0 (zero) deri në 40,000 lekë/muaj, përkundrejt intervalit 0 (zero) deri 30 000 lekë/muaj që është aktualisht.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.