Paketa ligjore që do të godasë grupin e strukturuar “KÇK”. Por çfarë përmban ajo? Detajet dhe funksioni
Në një aktivitet të veçantë ku janë mbledhur të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, kryetarët socialistë të Bashkive, anëtarë të Partisë Socialiste dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, kryeministri Rama ka prezantuar paketën e re ligjore të quajtur “Forca e Ligjit”, e cila do të godasë grupet e strukturuara kriminale. Ndërkohë një tjetër masë e propozuar prej shefit të qeverisë është edhe paketa speciale e emërtuar “Anti-KÇK”, e cila në fokus të saj do të ketë ndalimin e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar.
“Forca e Ligjit” e ngritur si strukturë prej vitit 2017 dhe që ka dhënë rezultate konkrete në goditjen ndaj grupeve kriminale, tashmë do të kthehet në njësi speciale me ligj dhe do të jetë pjesë e strukturës operacionale të Policisë së Shtetit në nivelin më të larë. Ajo do të jetë me karakter të përkohshëm me qëllim parandalimin, zbulimin dhe goditjen e krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe terrorizmit. Objektivi strategjik i kësaj pakete ligjore do të jetë: spastrimi i komunitetit nga asetet kriminale të subjekteve që i përdorin këto asete në kushtet e pandëshkueshmerisë së krijuar nga “KÇK-ja.”
Përsa i përket paketës speciale Anti-KÇK vazhdueshmëria e saj do të ndalojë në momentin e ngritjes dhe funksionimit të plotë të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, sipas kryeministrit. Masat e propozuara janë se me kërkesë nga Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë ose vendim të KLGJ/KLP-së bëhet pezullimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe nis hetimi kundrejt tyre.
Shefi i qeverisë e ka përshkruar kështu emërtimin e grupit KÇK në aktivitetin e ditës së sotshme:
“KÇK është një organizatë kriminale gjykatësish dhe prokurorësh që janë shërbëtorë, bashkëpunëtorë ose edhe tutorë të krimit të organizuar. Janë një kancer në sistem që me fillimin e vettingut dhe me rezultatet e para të vettingut ka hyrë në fazën e vet më agresive. Janë njerëz që e dinë që nuk kanë asnjë shans ta kalojnë vettingun, ndaj po shfaqen shumë më hapur se deri dje kur punonin me një ritëm më të avashtë dhe me bindjen që e kishin jetën para dhe askush nuk do t’i lëvizte nga vendi. Tani kanë vetëm kohën e mbetur deri kur të dalin para vettingut që e dinë që nuk kanë asnjë shans. Prandaj motoja e tyre, nuk është fantazi, e thonë ata, është kap ç’a të kapësh, KÇK”.
Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria sot është më e sigurt sa i përket krimit të rrugës siç ai u shpreh, por tha se fokusi i qeverisë do të jetë në goditjen ndaj krimit të organizuar. Ai foli me shifra krahasimore me qeverinë e shkuar, sa i përket sekuestrimit të aseteve kriminale, ku tha se në total nga vitit 2014 janë sekuestruar 267 milionë euro, nga 33 milionë euro që vuri nën sekuestro qeveria e shkuar.
Shefi i ekzekutivit u shpreh se ndaj personave të ndaluar nga paketa e re ligjore, “Forca e Ligjit” do të ketë masa në tre karaktere: ekonomike, personale dhe pasurore.
Në karakterin ekonomik ndaj personave të dënuar nga ligji do të përfshihen masa si:
-nuk do të kenë të drejtën për të marrë apo mbajtur leje, liçensa dhe autorizime që jepen nga Policia e Shtetit
-nuk do të përfitojnë fonde nga procedurat e prokurorimit të puënve apo kontratave publike
-nuk do të përfitojnë nga konçensionet publike
-Nuk do të përfitojnë kontribute në ndihma shëndetësore, hua, hipoteka të subvencionuara apo të mbështetura nga fondet publike.
Në masat me karakter pasuror përfshihen:
-Sekuestrimi preventiv i pasurisë dhe vendosja e barrës së provës mbi subjektet e ligjit special për burimin e pasurisë
-konfiskimin e pasurive në kushtet e mos legjitimitet të burimit të saj
-marrja në përdorim dhe administrim nga shteti i pasurive të sekuestruar apo të konfiskuara.
Ndërkohë në masat me karakter personal përfshihen:
-Ndalimin e daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë
-Ndalimi i pajisjes me leje dhe autorizime për aktivitete me karakter fitimprurës për Shqipërinë.
Drafti, për të cilin qeveria shqiptare është duke punuar ende deri në përmbylljen e tij, pritet të kalojë të hënën me akt normativ dhe më tej t’i kalojë Kuvendit për votim. Konsulenca kryesore ka qenë me një grup ekspertësh nga Izraeli për të marrë përvojën e tyre nga e ashtuquajtura “Fauda” e forcave komando izraelite në kapjen apo eliminimin e elementëve të rrezikshëm terroristë në Izrael dhe Palestinë.
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.