Pandemia godet tregun imobiliar – BSH: Shitjet ranë me 37% veçanërisht në bregdet e Tiranë, qytetarët i drejtohen qirasë
Vrojtimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon se Pandemia Covid 19 e ka goditur rëndë tregun e pasurive të paluajtshme, ndërkohë që efektet e rënies do ndihen për dy vitet e ardhëshme. Vrojtimi është kryer në 230 shoqëri ndërtimi dhe agjentësh të tregtimit të pasurive të paluajtshme, që përfaqësojnë rreth 75%-80% të popullatës së përgjithshme.
Sipas subjekteve të intervistuara, situata e përgjithshme në tregun e pasurive të paluajtshme gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ishte ndjeshëm më pesimiste në krahasim me gjashtëmujorin e mëparshëm.
Balanca neto e përgjigjeve rezultoi -54%, duke treguar që numri I agjentëve që mendojnë se situata është përkeqësuar gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit është më i madh se numri i atyre që mendojnë të kundërtën. Vlera e balancës neto është vlera më e madhe negative e regjistruar që nga viti i parë i kryerjes së vrojtimit, ndërkohë që vlera mesatare e balancës neto është rreth -20%. Në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, përgjigjet sipas zonave kanë balanca me vlera më negative për zonën e bregdetit (-70%) dhe zonat e tjera (-62%), ndërkohë që për zonën e Tiranës balanca e përgjigjeve për situatën e përgjithshme ishte -42%.
Numri i subjekteve që kanë kryer shitje (72 subjekte) ishte më i ulët se ai i raportuar në gjashtëmujorin e kaluar dhe numri i përgjithshëm i pronave të shitura ishte rreth 37% më i ulët.
Ndryshe nga gjashtëmujorët e kaluar, i njëjti tregues i vlerësuar vetëm për subjektet që kanë raportuar shitje gjatë periudhës, paraqet një vlerësim shumë të ngjashëm me vlerësimin e të gjithë kampionit; balanca neto e përgjigjeve mbi situatën e përgjithshme nga ana e subjekteve që kanë raportuar shitje është -44%, ndërkohë që gjatë 3 viteve të mëparshme kjo balancë ka shënuar vazhdimisht vlera pozitive dhe relativisht të larta.
Ky vlerësim pasqyron pasigurinë nga situata e krijuar nga COVID-19 dhe nga pasojat e tërmetit të fundit të muajit nëntor 2019. Numri total i pronave të shitura ishte 825 nga 1301 një gjashtëmujor më parë dhe numri mesatar i pronave të shitura për subjekt ra nga 7 në 5.
Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi raportohet të jetë rreth 10.6 muaj dhe shënoi një rritje të lehtë ndaj gjashtëmujorit të kaluar. Për Tiranën, subjektet e intervistuara kanë raportuar një kohë mesatare shitjeje prej 10.4 muajsh ose 1.2 muaj më të gjatë se ajo e raportuar në gjashtëmujorin e kaluar. Për zonën e bregdetit dhe për zonat e tjera, koha mesatare e raportuar e shitjes ishte përkatësisht 10.7 dhe 11.4 muaj, dhe në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar shënoi rritje të lehtë.
Ndërkaq, Agjentët raportojnë kërkesë në rritje për qiramarrje, si për banesa, ashtu edhe për prona tregtare. Në linjë me rritjen e kërkesës, agjentët raportojnë rritje të çmimeve të qirasë. Aktiviteti i dhënies dhe marrjes së pronave me qira është i përqendruar në rajonin e kryeqytetit dhe veçanërisht në zonën e qendrës.
- Për gjashtëmujorin e ardhshëm, pavarësisht se balanca për ecurinë e pritur të çmimeve ka vlerë të vogël pozitive, agjentët presin rënie të numrit të pronave të regjistruara për shitje.
- Agjentët kanë pritje pesimiste për ecurinë e tregut në territorin ku ata veprojnë për të ardhmen afatshkurtër, por janë dukshëm më optimistë për ecurinë e tregut në të gjithë territorin në periudhën më afatgjatë (deri në dy vjet).
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.