Pandemia “shkund” marrëdhëniet tregtare me Italinë. Eksporti devijon në Turqi dhe Gjermani
Pandemia ka ulur në mënyrë drastike eksportet drejt Italisë, sipas raportit më të fundit të Instat mbi tregtinë e jashtme. Në fakt, eksporti vendas që normalisht orientohej drejt Italisë, duket sikur është “copëzuar” në 3 shtete, përkatësisht Turqi, Gjermani dhe Kroaci.
Sipas shifrave të institutit të Statistikave, në janar – shtator 2020, eksporti i mallrave me Italinë ka rënë me afro 20%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Saktësisht, afro 20 miliardë lekë më pak eksporte se në 2019. E ndërsa shtatori ka rezultuar si një muaj pozitiv përsa i përket eksporteve të Shqipërisë me shumë shtete partnere, eksportet me Italinë nuk janë rikuperuar as në këtë muaj, ku eksporti ka qenë sërish më i ulët se ai i shtatorit të 2019.
Kjo “shkundje” është ndjerë edhe te importet me Italinë, të cilat në janar – shtator 2020 kanë rënë me afro 14% krahasuar me të 9 mujorin e vitit paraardhës. Thënë ndryshe, Shqipëria ka importuar mallra me vlerë 122.6 miliardë lekë në 9 mujorin e 2019, ndërsa në 2020, për po këtë periudhë, importi nga Italia u shënua në vlerën 105.3 miliardë lekë, afro 17 miliardë lekë më pak.
Në një situatë si kjo, eksporti me Gjermaninë është rritur me afro 9%, me Turqinë me afro 20%, e ndërsa me Kroacinë me afro 50% (periudha janar – shtator 2020). Sipas shifrave të Instat, eksporti me Gjermaninë në 9 mujorin e 2020 është rritur me 957 milionë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Ndërkaq, me Kroacinë eksporti është rritur me 386 milionë lekë në janar – shtator 2020, ndërsa eksporti drejt Turqisë është 296 milionë lekë më shumë.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.