Panele, breza të gjelbër e sinjalistikë në Tiranë! Plan për eleminimin e zhurmave në kryeqytet
Bashkia e Tiranës ka hapur tenderin me fond limit 2 milionë e 256 mijë lekë për hartimin e planit të veprimit mbi zhurmat në kryeqytet. Afati kohor për dorëzimin e kërkesës për shprehje interesi është data 11 janar 2021.
Afati për realizimin e këtij shërbimi është 8 (tetë) muaj, nga data e lidhjes së kontratës.
Objekt i këtij plani janë:
– Aktivitetet e shërbimit social dhe kulturor (klube nate, bare, restorante, disko)
– Sektori i transportit (rrugor, ajror, ujor dhe hekurudhor) dhe zhurmat që gjeneron ky sektor
– Aktivitetet ekonomike që përdorin pajisje dhe makineritë që gjenerojnë zhurma, si sharra, elektromotorë, gjeneratorë, çekiçë pneumatikë, etj.
Hartimi i Planit Lokal të Veprimit mbi Zhurmat për Bashkinë Tiranë është i domosdoshëm, kjo referuar numrit të popullsisë që banon në qytet, numrit të automjeteve që qarkullojnë, bizneseve që operojnë, etj.
“Plani Lokal i Veprimit mbi Zhurmat ka si qëllim të analizojë situatën në të cilën gjendet Bashkia Tiranë lidhur me zbatimin e kërkesave të ligjit për mbrojtjen nga zhurmat, vlerësimin e shqetësimeve të komunitetit dhe të bizneseve lidhur me zhurmat, si dhe vlerësimin e përvojave më të mira në këtë fushë.
Plani Lokal i Veprimit mbi Zhurmat në Tiranë do të hartohet duke analizuar dhe marrë në konsideratë planet dhe programet e zhvillimit ekonomik dhe mjedisor, që janë miratuar ose janë në proces miratimi nga Bashkia Tiranë dhe organet qendrore. Plani do të shërbejë si një dokument orientues për planet kombëtare, rajonale dhe vendore për zhvillimin ekonomik dhe për planet e territorit.
Në këtë plan do të parashikohen masa, aktivitete, si dhe objektiva që duhet të përmbushë Bashkia Tiranë në respektim të ligjit për menaxhimin e zhurmave në mjedis” shkruhet në dokumentet e tenderit.
Plani Lokal i Veprimit mbi Zhurmat do të studiojë me detaje dhe kohë veprimi të saktë masat konkrete për parandalimin dhe zvogëlimin e nivelit të zhurmave në mjedis, si psh: vendosjen e paneleve për parandalimin e zhurmave, krijimin e brezave të gjelbër ndarës në rrugët e qytetit, vendosjen e sinjalistikës përkatëse, zhvillimin e fushatave ndërgjegjësuese për reduktimin e zhurmave në mjedis, etj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.