Paraja cash apo pagesat elektronike? Jemi ende në fillim
Nga Adi Darsi/SCAN Magazine
Në kohët e lulëzimit të tregjeve dhe shërbimeve online, duket sikur parasë fizike gradualisht po i vjen fundi. Por shifrat tregojnë se ky është thjeshtë një perceptim. Rritja shumë e madhe e transfertave elektronike në vitet e fundit, futja në qarkullim edhe e monedhave vituale ka shkuar paralel edhe me rritjen e qarkullimit të parasë fizike në duart e njerëzve. Monedhat dhe kartëmonedhat klasike nuk kanë përjetuar deri më sot asnjë frikë të “humbjes së fronit” të qarkullimit monetar.
Madje edhe gjatë vitit 2020, kur për shkak të pandemisë kontaktet fizike kanë qenë në nivelin e tyre më të ulët historic, tendenca nuk ka ndryshuar. Duket si paradoks por edhe në këto kushte situata e ka një shpjegim.
Rregullat e distancimit social e kanë vështirësuar se tepërmi punën e sporteleve të bankave dhe kjo i ka detyruar klinetët të mbajnë sasi të konsiderueshme të parasë cash, si një masë për të përballuar çdo rrezik të paparashikuar. Shifrat e parasë jashtë bankave në Shqipëri e konfirmojë këtë fakt, që nuk është thjeshtë tendencë shqiptare.
Beteja mes parasë fizike nga njëra anë dhe dhe pagesave elektronike, atyre online apo parave virtuale ka gati 20 vite që ka nisur. Si kudo edhe në Shqipëri ajo ka historinë e saj. Por ajo që duhet theksuar është se edhe në këtë drejtim vendi ynë ka mbetur më pas të tjerëve, pavarësisht zhvillimeve të shpejta nga viti në vit.
Shqipëria vendi i ekonomisë “cash”
Treguesi klasik e një ekonomie “cash” është sasia e parave që qarkullojnë jashtë bankave. Megjithë luhatjet që ka pasur përgjatë viteve, duke filluar që me krijimin e një sistemi bankar modern pas 1992, paraja jashtë bankave në Shqipëri ka qëndruar gjithmonë në nivele të larta. Sipas raportimeve të Bankës së Shqipërisë në fillimet e raportimit të këtyre treguesve, përkatësisht më 1993 jashtë bankave ishtye më shumë se 80 për qind e parasë që qarkullonte në ekonomi.
Për atë kohë treguesi sado I lartë e kishte shpjegimin e tij edhe tek mungesa e një sistemi bankar që ishte vetëm në hapat e para. Me kalimin e viteve situata do të vijë në përmirësim dhe më 1995 raportohet 53 për qind e parasë të ishte jashtë bankave. Vitet 1996, 1997 e 1998, e sidomos 1997 koha e kulmit të firmave piramidale, treguesit dalin plotësisht jashtë kontrollit. Sipas BSH në 1997 “Paraja jashte bankave është rritur me shpejtësi, nga 73 për qind rritje për tremujorin e parë, në rreth 136 për qind rritje (në nivel vjetor) gjatë tremujorit të dytë”.
Paraja jashtë Bankave | 1991 | 1992 | 1993 | 1994 | 1995 | 1996 | 1997 | 1998 |
(milionë lekë në fund viti) | 4439 | 9897 | 17901 | 27627 | 41906 | 47814 | 72,726 | 68,323 |
Burimi: BSH
Pas vitit 2000 e në vazhdim, paralel me rritjen e monedhës në qarkullim (atë vit monedha në qarkullim ishte 101.408.538.645,55 lekë, duke u shtuar me rreth 21 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë) me norma të ngjashme rritet edhe paraja jashtë bankave. Në 2001 BSH raporton se “Norma vjetore e rritjes së parasë jashtë bankave, në fund të vitit 2001 arriti në 20 për qind dhe vetëm në dhjetor të atij viti ajo ishte rritur me 12 miliardë lekë.
Shifrat përkeqësohen në 2002. Në periudhën mars-prill të atij viti niveli i parave jashtë bankave rritet me 16.4 miliardë lekë. Është koha e një paniku të shkaktuar nga privatizimi I bankave dhe kur pati një tërheqje massive të depozitave nga sistemi bankar.
Norma vjetore e rritjes në muajin prill 2002 arriti në 35.6 për qind, e cila qe norma më e lartë e rritjes përgjatë pesë viteve të fundit. Në kulmin e tërheqjes së depozitave raporti i parasë jashtë bankave ndaj ofertës monetare, arriti nivelin maksimal në 33.6 për qind. Në 2003 treguesi shënon një përmirësim modest, paraja jashtë bankave ulet në vlerë me rreth 5.6 miliardë lekë. Në vitin 2003 BSH raporton se niveli i parasë jashtë bankave është 127.7 miliardë lekë ose 5.34 miliardë lekë më pak se viti 2002.
Dy vitet në vijim në 2004 dhe 2005 paraja jashtë bankave kap përkatësisht vlerat 128.9 dhe 149.7, duke shënuar përsëri rritje, për të shkuar në 2006 në vlerën 163.3 miliard lekë, ose me një rritje vketore 13.6 për qind.
E përllogaritur si vlerë e prodhimit kombëtar paraja jashtë bankave gjatë vitit 2007, raportohet të jetë sa 16-17 për qind e PBB-së. Ndonëse treguesit në përqindje për shkak të rritjes së ekonomisë dhe të qarkullimit monetar janë në rënie në vlerë nuk ndodh e njëjta gjë. Kështu paraja jashtë bankave nga 163,3 miliard lekë në dhjetor 2006 një vit më vonë raportohet 154,9 milardë lekë për të kërcyer në 195,8 miliardë në fund të 2008. Ndërkohë në dhjetor 2009 ajo kapërcen vlerën e 200 miliardëve duke shkuar saktësisht në 209 miliardë e 43 milionë lekë. Pas vitit 2010 tendenca vjen në rënie deri në 2013, vit kur paraja jashtë bankave fillon e rritet, një tendencë që vijon deri në shtator të këtj viti, kohë kur janë raportuar të dhënat më të fundit.
Paraja jashtë Bankave | 2009 | 2010 | 2011 | 2012 | 2013 | 2016 | 2017 | 2018 |
(mln lekë në fund viti) | 209,044 | 195,059 | 194,923 | 192,705 | 198,893 | 249,415 | 265,264 | 275,281 |
Burimi: BSH
Në një përshkrim që bëhej në raportin e BSH në vitin 2017 thuhej shprehimisht se “Pavaresisht uljes se përdorimit të parasë fizike, nga perspektiva e tërheqjeve dhe depozitimeve në sportelet e bankave, përdorimi i parasë fizike në ekonominë shqiptare është një fenomen mbizotërues, i cili mbart kosto të larta për aktorët e ndryshëm dhe ekonominë në përgjithësi”. Dy vjet më vonë situate jo vetëm që nuk ka ndryshuar por shifrat flasin se rritja e parasë jashtë bankave ka shënuar rekorde historike.
Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, rezulton se paraja në qarkullim jashtë bankave, në prill 2020 arriti në vlerën e 2 miliard e 445 milionë eurove, duke pësuar një rritje me 3.3% kundrejt mujait mars 2020. Shifra rezultonte 241 milionë euro më shumë krahasuar me prillin 2019.
Në shtator 2020 po sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, paraja jashtë bankave (korporatave depozituese) kërcen në 2 miliard e 883 milionë dollarë. Sipas një përllogaritje të bërë nga ekspertët e BSH për periudhën 2013-2019 rritje e përvitshme vjetore e parasë jashtë bankave ka qenë mesatarisht 7%. Shifrat nuk kanë nevojë për komente shtesë.
Karta bankare, ATM dhe POS
Në dhjetëvjecarët e fundit, falë teknologjisë, ka ndryshuar shumë edhe marrëdhënia e klientëve me bankat dhe me tregjet në përgjithësi. Lehtësimi i transaksioneve, për të qenë sa më pranë klientëve, ka qenë objektivi i vazhdueshëm i biznesit bankar. Produkti më revolucionar në këtë drejtim kanë qenë kartat bankare dhe infrastruktura mbështetëse për to si ATM (Automated Teller Machines) dhe POS (Point of Sale), të cilat përbëjnë fazën e parë të modernizimit dhe futjes së pagesave elektronike, duke eleminuar paranë fizike. Përdorimi i tyre, shtimi i shpejtë i volumit të transaksioneve dhe blerjeve me to, janë treguesi i një ekonomie që sa vjen e bëhet më “virtuale”. Ndërkohë në vetvete kartat bankare për nga lloji I tyre janë edhe treguesi i nivelit të cash në ekonomi. Siç do të shikojmë më poshtë në vendin tonë dominojnë kartat e debitit të cilat përdoren masivisht vetëm për të tërhequr para nga ATM-të, të cilat më pas përdoren cash në tregje.
Sipas raportimeve të BSH, për herë të parë, kartat bankare si mjet pagese në Shqipëri janë ofruar dhe kanë hyrë në qarkullim gjatë vitit 1999. Në raportin e BSH të atij viti thuhet se “disa banka private të nivelit të dytë kanë futur në përdorim instrumente të reja pagesash si ATM, janë emetuar karta DINERS CLUB dhe VISA. Niveli i përdorimit të këtyre instrumenteve është ende i ulët”. Katër vjet më vonë BSH raporton se “Gjatë vitit 2003 pati përpjekje nga sistemi bankar për të përmirësuar infrastrukturën e pagesave duke investuar kryesisht në drejtim të përdorimit të mjeteve elektronike të pagesës.
Vetëm gjatë vitit 2003 janë instaluar dhe janë në përdorim 12 pajisje të reja ATM, të cilat janë vendosur jo vetëm në Tiranë por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Në fund të vitit 2003, në Shqipëri numëroheshin rreth 4300 karta debiti e krediti të përdorshme në lek, por megjithatë numri i pagesave elektronike përbën vetëm 3 për qind të vëllimit të përgjithshëm të pagesave për klientë”.
Një vit më vonë BSH shpallte: “ATM, produkti bankar i vitit 2004”. Sipas të dhënave të atij viti “numri i terminaleve elektronike u rrit nga 74 në fillim të vitit, në 222 në fund të vitit 2004, ndërsa numri i përdoruesve u rrit nga rreth 7,260 në rreth 34,090. Por në të njëtën kohë BSH tregon edhe “anën tjetër të monedhës” duke theksuar se “Përdorimi i kartave është ende i kufizuar për shkak të numrit ende të vogël të njësive të shërbimit që pranojnë pagesa në mënyrë elektronike, të një mendësie që ende favorizon mbajtjen e parasë në formën e cash-it”. E shpejtë rezulton rritja edhe përgjatë 2005, 2006 (Në 2006 numri i kartave në qarkullim shtohet me 9 herë krahasuar me vitin 2004 dhe sipas BSH në fund të atij viti vlera totale e transaksioneve me kartë ishte 187.66 miliardë lekë. Më 31 dhjetor 2008 numri total i kartave në qarkullim shkoi në 512,232 copë. Natyrisht rritje pati edhe vlera e transaksioneve me to. Po se çfarë fshihej pas këtyre shifrave në dukje impresionuese e thotë vetë BSH në raportin vjetor të 2008. “Nga totali I transaksioneve, rreth 96 për qind përbëjnë tërheqje cash nga ATM -të, tregues ky i një ekonomie me përdorim të lartë të cash-it.
Krahasuar me statistikat e vendeve të rajonit, sistemi bankar shqiptar është akoma në hapat e parë të përdorimit të instrumenteve të pagesave elektronike”. Gjithësesi rritja e këtij shërbimi vijon. Më 31 dhjetor 2009 në Shqipëri kishte 741 Makina ATM (Automated Teller Machines) dhe 4,370 Terminale POS (Point of Sale).
Sipas BSH atë vit “në total u procesuan mbi 9 milionë transaksione me karta”. Gjithçka ndodhi në dhjetë vitet në vijim ka qenë historia e rritjes së numrit të kartave, ATM-ve dhe POS-eve, shtimit të transaksioneve dhe vlerave që qarkullojnë nëpërmjet tyre. Spikat rritja më e përshpejtuar e kartave me funksion krediti. Por ka edhe një veçori tjetër: sistemi i kartave dhe infrastruktura për përqendrohet kryesisht në Tiranë. Në 2015 rreth 80 për qind e transaksioneve me karta u kryen në kryeqytet, një vit më vonë shifra shkon rreth 82 për qind dhe në 2017 rreth 86 për qind.
Në këto vite spikat edhe zhvillimi i shpejtë i tregtisë elektronike dhe blerjeve në internet. Që në
2014 në përdorim kanë hyrë edhe terminalet virtuale POS. Nëpërmjet tyre hyjnë në përdorim edhe kartat me para elektronike. Por mbizotëruese mbeten transaksionet me karta për tërheqjeve cash nga ATM-të, tregues ky i një ekonomie që vijon të ketë përdorim të lartë të “cash”-it. Kjo do të thotë se në vendin tonë nuk po shfrytëzohen lehtësitë e krijuara nga teknologjia, paçka se përdorimi i parasë fizike do të thotë edhe kosto më të larta. Sipas BSH “përdorimi i parasë fizike në ekonomi mbart një kosto prej rreth 1.7% të PBB-së për ekonomine shqiptare”.
Viti | ATM | POS | POS
e-money |
Karta debiti | Karta krediti | Karta
e-money |
2005 | 205 | 779 | – | 217,700 | 2,686 | |
2010 | 771 | 4900 | – | 667,500 | 27,300 | |
2013 | 822 | 5600 | – | 741,100 | 64,430 | |
2015 | 826 | 6600 | 597 | 826,200 | 81,120 | 32,870 |
2016 | 800 | 7100 | 680 | 871,600 | 85,830 | 41,760 |
2017 | 747 | 7200 | 1300 | 914,100 | 96,180 | 42,860 |
2018 | 723 | 8726 | 1700 | 954.902 | 105.435 | 67.689 |
2019 |
Burimi: BSH
Home banking
Një hap i dytë i madh në modernizimin e sistemeve të pagesave bëhet me futjen e internetit si mjet për shërbimet bankare. Lind kështu shërbimi e-banking I njohur edhe si “Home Banking”, një shërbin që për herë të parë në Shqipëri e ofroi Banka Amerikane e Shqipërisë në vitin 2005.
Në vitin 2007, bankat e kishin nisur garën e fortë të hedhjes në treg të produkteve elektronike bankare në shërbim të klientëve. Në sistemin bankar shqiptar 11 banka përdornin transaksionet në rrugë elektronike. Në fund të vitit 2008, BSH raporton se numri total i llogarive bankare të klientëve, të vlefshme për të kryer pagesa në lekë apo në valutë është 1,573,830, (prej tyre 91 për qind llogari individuale) por të aksesueshme nga interneti ishin më pak se 1 për qind e tyre (11,108 llogari).
Në fund të 2009 shkon në në 10 numri i bankave që ofrojnë shërbime “home banking”, krahasuar me 6 banka në fund të vitit 2008 dhe numri I llogarive të aksesueshme nga internet gati dyfishohet (11,108 llogari në 2008, 15,034 llogari në 2009 dhe në 2010 shifra shkon në 27,368 llogari.)
Nga ajo kohë e banking njeh rritje të konsidertueshme. Nga 15 mijë transaksione me vlerë 15.908 milionë lekë në vitin 2005 dhjetë vjet më vonë më 2015 rapportohen që në “home banking” të jenë kryer 1,404,052 transaksione me vlerë 282,756 milion lekë. Shtimi i shpejtë i përdorimit të home banking në vitet pasuese bëhet factor ndikimi edhe për zhvillimin e vetë sistemit banker. Bankat si numër por edhe si degë e reduktojnë përhapjen e tyre, po ashtu që prej vitit 2014 ka një rënie të lehtë të numrit të ATM-ëve si pasojë e mbylljes së degëve të bankave. Kështu rritja e transaksioneve “home banking” dikton në një masë të madhe edhe zhvillimet e tregut. Kjo mundësohet falë përhapjes së mundësive për të aksesuar internetin dhe përhapjes së gjerë të përdorimit të “smart phone”.
ECURIA E E-BANKING
Viti | Nr i bankave | Nr i transaksioneve | Vlera e transaksioneve
(në milionë lekë) |
2005 | 1 | 15.706 | 15.908 |
2010 | 11 | 162.385 | 91.277 |
2013 | 11 | 323,676 | 101,067 |
2014 | 13 | 1,249,294 | 164,502 |
2015 | 13 | 1,404,052 | 282,756 |
Burimi: BSH
Jemi ende në fillim
Se sa mbizotëruese janë pagesat cash në ekonominë tonë mund të tregohet vetëm me një shifër: numri i POS-ve për 1 milion banorë në 2017 në Shqipëri ishte 2.541, (mbi 80 për qind e tyre në Tiranë) në një kohë që në Kosovë për 1 milion banorë kishte 5.982 POS-e. Vlerësohet që Shqipëria ka nivelet më të larta në Europë, për sa i takon përdorimit të parasë cash në ekonomi. Sipas përllogaritjeve të BSH jashtë kanaleve bankare qarkullojnë para me vlerë sa 16.1% të PBB, një tregues dy herë më i lartë se mesatarja e BE. Ka edhe një shifër tjetër: 22% e parasë gjithsej qarkullon jashtë bankave. Kështu që nuk është çudi, që pavarësisht rritjes së konsiderueshme, vendi ynë të ketë përdorimin më të ulët të kartave bankare. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë që i referohet një studimi të EY Research, thuhet se vetëm 39 për qind e të rriturve mbi 15 vjeç kanë një llogari bankare në Shqipëri kundrejt 91 për qind që është mesatarja e vendeve të OECD. Situata nuk është më e mirë edhe kur flitet për bizneset. Sipas një studimi të fundit të Bankës së Shqipërisë rreth 66 për qind e pagesave të biznesit janë cash. (Bizneset shqiptare iniciojnë rreth 18,2 milionë pagesa në vit). Po ashtu sipas BSH vetëm 30% e llogarive të bizneseve i përdorin shërbimet “home banking”. Për individët, ky tregues është akoma më i ulët: rreth 10%. Por një pamje më e qartë duket nëse krahasojmë të dhënat me rajonin.
MJETET E PAGESAVE ELEKTRONIKE. KRAHASIMI ME RAJONIN
Të dhënat e vitit 2016
Vendi | ATM | POS | e-banking | Karta krediti | Karta debiti |
Shqipëria | 800 | 7.111 | 209.157 | 85.937 | 871.611 |
Kosova | 522 | 10.589 | 230.905 | 156.437 | 856.718 |
Mali i Zi | 388 | 12.289 | 109.963 | 39.633 | 421.666 |
Maqedonia | 1.039 | 34.974 | 695.220 | 375.654 | 1.443.022 |
Serbia | 2.983 | 84.412 | ? | 991.522 | 5.806.689 |
Burimi: Shoqata e Bankave Kosovë
Tendenca botërore e përdorimit të formave të parasë
Ende 80 për qind e njerëzve në botë paguajnë me ‘para në dorë’
Në nivel global, paralel me rritjen e qarkullimit të parasë virtuale dhe të pagesave elektronike, rritet edhe sasia e parasë fizike në tregje. Madje kjo ka ndodhur edhe përgjatë muajve të këtij viti. Paraja fizike do të duhet edhe për një kohë shumë të gjatë, ka thënë Daniel Link, shefi i kompanisë zvicerane Orell Füssli që është njëri nga prodhuesit më të mëdhenj të kartëmonedhave në botë. Sipas tij prodhimi i kartëmonedhave po rritet çdo vit me nga 4 për qind në të gjithë botën. Në një konferencë të investitorëve “Investora” në Zyrih, Link është shprehur se ka faktorë të ndryshëm që e ndikojnë këtë rritje në vazhdim.
Nga njëra anë, që nga viti 2008 paraja ka fituar rëndësi si një lloj “depoje vlere”, ndërsa nga ana tjetër, një e treta e njerëzve në botë nuk kanë një llogari bankare dhe prandaj varësia nga paraja fizike është shumë e lartë. Në përgjithësi, 80 për qind e popullsisë së botës vazhdon të përdorë akoma blerjet me para në dorë. Në këtë mënyrë kërkesa për kartëmonedha është e shëndetshme, ka shtuar shefi i Orel Füssli. Megjithatë nuk mund të mos merret në konsideratë edhe zhvillimi nga ana tjetër. Shifrat tregojnë se COVID-19 ka shkaktuar një kërkesë në rritje për paranë dixhitale dhe pagesat elektronike.
Lexo numrin e plotë të revistës:
http://online.anyflip.com/sbspu/cvce/mobile/index.html#p=18
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.