Parashikimi i motit/ SHM: Fundjava do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike
Ashtu si ditët e fundit edhe për fundjavën vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike, bën me dije Shërbimi Meteorologjik shqiptar
Sipas SHM dita e Shtunë do të ketë mot me vranësira mesatare deri të dendura shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët kryesisht në zonën e qendrës dhe atë të veriut. Në zonën e jugut do të ketë më tepër kthjellime por edhe në zonat e sipërpërmendura nuk do të mungojnë intervalet e shkurtra me diell. Gjithashtu lokalisht reshjet do të jenë edhe në formën e shtrëngatave.
“Duke vijuar për ditën e Diel moti do të jetë me alternime vranësirash dhe kthjellimesh afatshkurtra. Në momentin e zhvillimit të vranësirave në pjesën më të madhe të territorit do të ketë reshje shiu me intensitet të ulët por edhe mesatar në formën e shtrëngatave. Pas orëve të pasdites reshjet ndërpriten në të gjithë territorin, “ bën me dije SHM.
Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik përgjatë të dyjave ditëve do të ketë edhe reshje dëbore por tepër të dobta dhe në lartësi të mëdha malore. Pas erës së fortë të pak ditëve më parë, kjo fundjavë do të karakterizohet nga era e cila do të fryjë e lehtë dhe drejtim kryesor juglindje dhe veriperëndim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.