Pas Koplikut e Spitallës, krijohet zonë e lirë në Kashar! Detajet: Investim 102 mln euro, 5-7 mijë vende pune. Synohen kompani IT dhe automobile

Pas Koplikut në Shkodër dhe Spitallës në Durrës që kanë marrë statusin e Zonave të Zhvillimit Teknologjik dhe Ekonomik, vendit po i shtohet dhe një zonë e re, në Tiranë. Në Agjencinë e Prokurimeve Publike është shpallur tenderi për Shërbime konsulence në hartimin e studimit të fizibilitetit dhe planit të biznesit për projektin ”Teda” në Kashar.
Tenderi me vlerë 28,6 milionë lekë ka si afat aplikimi deri me datën 3 korrik 2020. Referuar dokumenteve të tenderit, rajoni Tiranë-Durrës, në të cilin shtrihet Zona e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik Kashar, konsiderohet një komponent kyç i ekonomisë kombëtare dhe përfshin rreth 8.4 % të sipërfaqes së territorit dhe rreth 37 % të popullsisë në vend. Ky rajon prodhon 48 % të Prodhimit të Brëndshëm Bruto (PBB) kombëtar dhe përfaqëson rajonin me të ardhura më të larta për frymë, që janë 1.32 herë më të larta se mesatarja e vendit, ndërsa vetëm Tirana i ka 1.41 herë më të larta se mesatarja e vendi
“Kapitali social në këtë zonë përfaqëson një avantazh potencial për të mbështetur ristrukturimim produktiv të ekonomisë së rajonit, si nxitësi kryesor i rritjes së produktivitetit të ekonomisë kombëtare. Në këtë rajon janë përqëndruar mbi 75% të institucioneve të arsimit të lartë, qendrave kërkimore shkencore dhe organizatave jo-fitmiprurëse.
Në këtë kuadër Bashkia e Tiranës nisur nga potencialet që ofron rajoni dhe zona, ka propozuar krijimin e një Zone të Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik në periferi të qytetit (Kashar). Bazuar në vizionin dhe qëllimin e krijimit të ZTZHE-së, Bashkia e Tiranës ka evidentuar edhe përfitimet strategjike dhe operacionale që priten të vijnë nga funksionimi i kësaj zone” shkruhet në dokumentet e tenderit.
Përfitimet strategjike renditen si më poshtë:
➢ Investime të huaja, teknologji e përparuar dhe tekonologji e informacionit;
➢ Zhvillim ekonomik i pëfaqësuar nga industri sipas standarteve ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e mjedisit, industri eficiente në përdorimin e energjisë dhe industri produktive;
➢ Rritje e konkurueshmërisë së ekonomisë kombëtare dhe diversitetit të saj;
➢ Krijimi i vendeve të reja të punës;
➢ Trajnim i forcave të punës në vazhdimësi dhe rritje e konkurrencës midis forcave të kualifikuara të punës në tregun e brendshëm;
➢ Eleminim i pengesave burokratike si për investitorët vendas ashtu edhe ata të huaj;
➢ Rritje e sigurisë së bizneseve;
➢ Përshpejtim i qarkullimit të të mirave dhe kapitaleve;
➢ Promovim i zhvillimit rajonal dhe i lidhjeve të ekonomisë me tregjet ndërkombëtare.
Në bazë të ligjit “Për krijimin dhe funksionimin e Zonave të Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik”, Bashkia e Tiranës ka aplikuar pranë Ministrisë së Financës dhe Ekonomisë për projektin “TEDA Kashar” në tetor të vitit të kaluar. Ministria e Financave dhe Ekonomisë pas shqyrtimit të kërkesës dhe dokumentacionit përkatës, është shprehur parimisht dakort për këtë projekt. Në vijim të këtij procesi, Bashkia e Tiranës do të aplikojë pranë MFE për të marrë statusin përfundimtar të ZTZHE-së për projektin “TEDA Kashar”, në të cilin Bashkia do të ketë rolin e zhvilluesit.
Në këtë kuadër, projekti “TEDA Kashar” konsiderohet një projekt i mundshëm i investimit me ndikim strategjik për zhvillimin e vendit dhe me interes publik, i cili parashikon të ketë një vlerë investimi prej 102,666,431 € dhe synon hapjen e 5.000 – 7.000 vendeve të punës.
Funksionimi i Zonës synon krijimin e një territori të veçantë me një regjim fiskal dhe doganor tepër lehtësues për ushtrimin e aktvitetit ekonomik dhe që nxit investmet, hapjen e vendeve të punës dhe rritjen e të ardhurave, përshpejtmin e zhvillimit rajonal dhe zgjerimin e lidhjeve ekonomike të tregut kombëtar dhe ndërkombëtar, futjen e teknologjisë së përparuar dhe përshpejtmin e qarkullimit të mallrave dhe kapitaleve.
Aktualisht në Shqipëri kanë marrë statusin e ZTZHE dy zona, ajo e Spitallës dhe ajo e Koplikut. Ndonëse kanë marrë këtë status, asnjë nga këto zona nuk është ende funksionale. Si rrjedhojë e mungesës së këtyre zonave, Shqipëria nuk po arrin të tërheqë IHD sipas potencialit ekonomik të vendit, me investitorët e huaj që parapërlqejnë vendet fqinje si Maqedonia e Veriut apo Serbia. Kushtet e favorshme që këto vende ofrojnë në zonat e tyre ekonomike bën që investitorët e huaj të anashkalojnë pozitën e favorshme gjeografike të Shqipërisë siç është dalja në det.
ZTZHE Kashar do të fitojë menjëherë një pozitë dominuese në treg duke u bërë destinacioni kryesor për të gjithë IHD-të që do të konsiderojnë Shqipërinë. Kjo për arsye se Tirana është tregu më i madh i punës në vend dhe ka një pozicionim mjaft të favorshëm gjeografik sa i përket eksportit. Fuqia punëtore e re e kualifikuar dhe pozita e favorshme gjeografike e vendos ZTZHE Kashar në një pozicion të favorshëm jo vetëm me ZTZHE e tjera në vend, por edhe me zonat e tjera të ngjashme në rajon.
Bashkia Tiranë synon krijimin e një ZTZHE të standarteve perëndimore me prioritet industritë me karakter teknologjik sic janë Industria automobile, ICT dhe elektronike. Pavarësisht impaktit së krizës globale në tregun e automobilëve, ky sektor vazhdon të jetë konkurues dhe premtues. Pikave të forta të rajonit, si konkurenca, afërsia gjeografke me tregjet europiane dhe forca e lirë punëtore, i shtohet edhe eksperienca historike e vendeve të Ballkanit në periudhën e para viteve 1990, në prodhimin e pjesëve përbërëse të automobilëve.
Duke marrë parasysh të gjithë faktorët e mësipërm, Shqipëria përbën një potencial të konsideruëshëm për zhvillimin e këtyre industrive, duke marrë në konsideratë forcën punëtore të edukuar, ndër më të rejat në europë dhe më të lirën, lidhje shumë të mirë me tregjet europiane perëndimore dhe ato lindore.
Gjithashtu, këtyre pikave iu shtohen edhe incentivat e dizenjuara enkas për projektet e zonave ekonomike.
Sipërfaqja e përzgjedhur është rreth 35 hektarë, ndërkohë që gjithë sipërfaqja fushore e pandërtuar mund të zgjerohet deri në 150 hektarë, në rast të rritjes së kërkesës.
Sipërfaqja totale e zonës mund të ndahet në mënyrë të tllë që të krijojë të ashtuquajturat “ishuj”, të diferencuara në mënyrë të tillë që t’i përshtaten tipologjisë dhe madhësisë së kompanive.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.