Pasojat e COVID-19/ Tour-operatorët 4 kërkesa qeverisë
Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencise Turistike, ka bërë publike letrën e dërguar qeverisë me propozimet për masat emergjente në ndihmë të bizneseve të turizmit prej dëmit të shkaktuar nga Koronavirusi. ATOA thekson se turizmi është sektori që ka potencialin më të lartë të punësimit, nga ku 93 mijë kanë qenë të punësuarit direkt dhe mbi 291 mijë ishin të punësuarit total në këtë sektor përgjatë 2017, dhe e ardhura totale e turizmit është 1.8 miliard Euro, prandaj në ketë moment në rrezik nuk është vetëm sektori i turizmit, por prej saj edhe ekonomia e vendit.
Sipas ATOA në përgjigje të kësaj situate, për të shmangur pasojat e rënda dhe kolapsin e bizneseve që operojnë në fushën e turizmit, duke marrë si shembull edhe masat e marra nga qeveritë e shumë vendeve për të qenë në krah të bizneseve në këtë periudhë të vështirë, kërkojmë një reagim të shpejtë nga ana e qeverisë dhe marrjen e masave si më poshtë vijon:
- Pezullimin e pagesës së tatim fitimit minimalisht për një periudhë 3 mujore dhe në vazhdim përshtatjen e llogaritjes së saj me vitin aktual;
- Subvencionimin e pagesës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-6 mujore;
- Reduktimin e taksave vendore dhe shtyrjen e afatit të pagesës së tyre të paktën deri në fund të muajit Qershor;
- Akordimin e granteve ose kredive me interes “0%” për mbështetjen e nevojave për likuiditet të kompanive turistike.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.