Pasuritë e sekuestruara, Kala: Ja çfarë po ndryshon/ Flet drejtori i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara

Çfarë pritet të ndryshojë në punën e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pas ndryshimeve themelore në ligjin organik të saj? Drejtori i kësaj Agjencie, Artur Kala, tregon gjatë një interviste ekskluzive për “SCAN Magazine” çfarë synohet përmes ndryshimeve të reja ligjore, si do të administrohen provat e reja si risi e gjithë procesit, dhe si do të sigurohet administrimi dhe menaxhimi më i mirë i pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara.
Cilët janë ndryshimet thelbësore në ligjin nr. 34/2019 “Për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara”, si pjesë e paketës së ndryshimeve ligjore për thellimin e masave kundër krimit të organizuar?
Ndryshimet ligjore që u miratuan synojnë të përcaktojnë Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) si institucionin përgjegjës për administrimin edhe të provave material, përveçse pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara nga organet e drejtësisë apo me urdhra administrative, si dhe rregullat dhe procedurat për administrimin e tyre.
Nëpërmjet këtyre ndryshimeve ligjore do të bëhet i mundur mirëadministrimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga institucioni i posaçëm dhe organi kolegjial administrative, si dhe do të administrohen dhe kalohen në pronësi të shtetit provat materiale, sipas përcaktimeve të parashikuara.
Çfarë pritet të sjellin këto ndryshime në punën dhe aktivitetin e AAPSK?
Miratimi i këtyre ndryshimeve ligjore është diktuar nga nevoja për mirëadministrim më efikas dhe kalimin e të gjitha kompetencave të administrimit tek Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Kjo Agjenci tashmë kalon në varësi të Ministrit të Brendshëm.
Nga ana tjetër, krijohet Komiteti Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar, i cili do të ketë kompetenca mbikëqyrëse për administrimin dhe vendimmarrëse për kalimin e të drejtave reale, mënyrën e përdorimit dhe vendimin e destinacionit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, jo vetëm sipas ligjit 10192/2009, por tanimë edhe sipas legjislacionit në fuqi për masat për parandalimin, identifikimin, zbulimin, dokumentimin dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe terrorizmit. Gjithashtu, me ndryshimet që u miratuan në ligj, pasuritë që do të jenë objekt i administrimit dhe vendimmarrjes nga Agjencia dhe Komiteti, nuk do të përcaktohen vetëm me vendim gjykate, por edhe me urdhra administrativë nga institucionet e përcaktuara me ligj.
Në këtë mënyrë, për të gjitha kategoritë e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, pavarësisht vendimit gjyqësor apo administrativ, do të sigurohet administrim dhe menaxhim i posaçëm nga i njëjti institucion shtetëror administrativ, që është Agjencia. Po ashtu, administrimi nga Agjencia i provave materiale për të cilat nuk ka një vendim disponimi në kuadër të proceseve penale, do t’i japë zgjidhje një problemi të kahershëm mbi përcaktimin e institucionit përgjegjës administrues për këtë kategori dhe kalimin e pronësisë së tyre për llogari të shtetit, sipas parashikimeve dhe afateve të parashikuara në ligj.
Ka patur vitet e fundit shumë sugjerime dhe rekomandime nga ekseprtët e Bashkimit Evropian. Ndryshimet e fundit ligjore a janë në përputhje me rekomandimet e tyre?
Të gjitha ndryshimet ligjore janë në përputhje të plotë të rekomandimeve të ekspertëve të BE-së, konkretisht dhe të rekomandimeve të “MoneyVal”, që synojnë zgjerimin e kompetencave të AAPSK dhe vendosjen në një regjim administrimi për të gjitha pasuritë e sekuestruara e të konfiskuara.
Duket se puna e AAPSK ka edhe efekte në komunitet. Sa ka ndikuar për këtë qëllim rritja e numrit të pasurive të sekuestruara e të konfiskura? Cilët janë projektet kryesore që Agjencia juaj ka dhe menaxhon për komunitetin?
Objektivi kryesor i Agjencisë është kalimi në komunitet i pasurive të konfiskuara dhe të ardhurave ose fondeve të sekuestruara, për financimin e projekteve për institucionet ligjzbatuese dhe OJF-të që kanë si objekt të punës së tyre trajtimin e viktimave të krimit. Për lexuesit tuaj, po ju jap disa tregues për të kuptuar më mirë përfitimet që ka komuniteti. Sepse mjetet monetare të konfiskuara apo të ardhurat e përftuara nga pasuritë e konfiskuara përdoren: a) për krijimin e fondit të posaçëm për parandalimin e kriminalitetit dhe edukimin ligjor; b) për buxhetin e shtetit.
Si rezultat i këtij procesi, janë ngritur 3 (tre) fonde të posaçme dhe konkretisht:
a) në vitin 2013, fondi i veçantë me vlerë 42 000 000 lekë;
b) në vitin 2016 fondi i veçantë me vlerë 25 000 000 lekë;
c) në vitin 2019 fondi i veçantë me vlerë 93 000 000 lekë.
Me këto fonde jane financuar 12 projekte për institucionet ligjzbatuese, si Policia dhe Prokuroria (që kanë si synim rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e hetimit) apo Qendra Pritëse e Viktimave të Trafikimit dhe OJF-të, për trajtimin dhe integrimin e viktimave të krimit.
Në pasqyrën e mëposhtme jepen disbursimet e këtij fondi:
Gjithashtu:
-Kalimi në përdorim i mjeteve dhe pajisjeve të ndryshme dhe objekte për Policinë e Shtetit. Qendrës Pritëse të Viktimave të Trafikimit i janë kaluar pajisje, orendi, biblioteka. Në total 7000 artikuj.
-Kalimi në pronësi i tokave, lagunave, ndërtesave pushtetit lokal, duke ua kthyer komuniteteve për përdorim për shkolla për turizëm etj.
-Bashkëpunimi me Delegacionin e BE-së për implementimin e projekteve me shoqërinë civile. Projekti me i rëndësishëm që po zbatohet aktualisht është projekti CAUSE për ngritjen e bizneseve sociale në prona të konfiskuara, financuar nga BE me një vlerë 350 mijë euro.
Zbatohet nga “Partners Albania”, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Kanë filluar aktivitetin tre të tilla: “Ke Buono” në Fier; “Kink folk coffee library” në Durrës, si dhe “Garazhi Artizanal” në Sarandë. Synohet që në këto biznese sociale të realizohet punësimi, integrimi, zhvillimi i kurseve profesionale. Nga ana tjetër, po ju jap dhe një tabelë me treguesit se sat ë ardhura ka derdhur Agjencia në buxhetin e shtetit:
Çfarë po bën AAPSK në lidhje me përdorimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara?
Gjatë fazës së sekuestros, Agjencia i administron këto pasuri në mënyrë të drejtpërdrejtë ose përmes të tretëve, deri në konfiskim. Pas daljes së vendimit të konfiskimit, AAPSK bën gati raportet tekniko-financiare dhe ia dërgon Komitetit për vendimmarrje, kryesisht për kalim në përdorim të institucioneve ligjzbatuese, OJF-ve për projekte sociale, policisë, pushtetit lokal etj.
Cili është raporti i pasurive që janë sekuestruar me atë të konfiskuara?
Gjatë kësaj periudhe ka një raport që shkon në 60 me 40, që do të thotë se vetëm 40% e pasurive konfiskohen, ndërsa 60% e tyre revokohen. Dhe ky është një problem për Agjencinë, sepse gjatë kësaj periudhe qëe pronat janë të sekuestruara duhet që AAPSK të kujdeset për to, t’i administrojë kur mundet, dhe kur janë biznese a shoqëri Agjencia kujdeset edhe për ata që punojnë pranë këtyre shoqërive, por dhe për t’u rritur vlerën pasurive të tjera (apartamente, njësi etj), përmes dhënies me qira.
Keni në administrim shoqëri ose biznese të mëdha? Si veprohet me menaxhimin e tyre?
Agjencia, gjatë viteve të fundit, ka pasur në administrim disa shoqëri ose biznese të mëdha, siç janë “Santa Quaranta”, “Rei Plastika”, shoqëria “Rens”, shoqëri gazi etj. Të gjitha këto shoqëri i administron Agjencia në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëpërmjet administratorëve të saj, deri në daljen e një vendimi përfundimtar revokimi ose konfiskimi. Jemi kujdesur t’i mirëadministrojmë në mëyrë që këtyre bizneseve t’u rrisim të ardhurat dhe punonjësit e tyre të mos humbin vendin e punës.
Deri tani ia kemi dalë dhe kemi disa histori suksesi. Padyshim që është një punë e vështirë të përballesh me problematika të ndryshme. Një pjesë e këtyre bizneseve merren në situatë të keqe financiare, madje të paformalizuara. Ia kemi dalë, pasi ne si Agjenci jemi përpjekur të punojmë në grup dhe t’i zgjidhim së bashku problematikat që dalin gjatë proceseve të ndryshme, që nga sekuestroja fizike deri në vendimin përfundimtar.
A ka kapacitete AAPSK për të administruar pasuritë në rritje të sekuestruara, me miratimin edhe të ligjit special bashkë me kalimin edhe të provave materiale?
Me zgjerimin e fushës së zbatimit të AAPSK, burimet e sotme janë të pamjaftueshme. Ne kemi propozuar ndryshime dhe shtesa në strukturën e Agjencisë, parashikuar dhe në ligjin nr.34 “Për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara”. Presim miratimin e tyre, përfshirë dhe propozimet tona për infrastrukturën dhe magazinimin.
SCAN Magazine/ Intervistoi: U.B.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.