PD letër ONM: Vettingu, ndërhyrja e qeverisë cenon rezultatet e procesit. Jini aktiv!
Kryetari i grupit të Partisë Demokratike Edmond Spaho i ka shkruar një letër drejtueses së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Genoveva Ruiz Calavera, ku ka shprehur shqetësimin mbi mungesën e vullnetit nga ana e mazhorancës për oraganet e reja të vettingut.
Spaho e nis shqetësimin e tij me shkurtimin e numrit të punonjësve të Vettingut me 40 për qind, e cila sipas tij cenon që në nisje këtë proces.
“Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj se shumica e drejtuesve të këtyre institucioneve të pavarura, jo vetëm u shprehën kundër këtyre ndryshimeve, por theksuan se me ndryshimet e miratuara, po cenohen efikasiteti i punës së organeve të pavarura kushtetuese, të ngarkuara me detyrën e realizimit të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Marrja përsipër nga ana e Kuvendit, që të strukturojë organet e pavarura kushtetuese, duke ulur me 40 për qind numrin e punonjësve të kërkuar prej tyre, është pa asnjë dyshim cenim i parimit kushtetues të pavarësisë organizative/funksionale të këtyre organeve. Kuvendi, nëpërmjet këtij vendimi, i ka diktuar mënyrën e organizimit organeve të pavarura, duke mos pranuar kërkesën e tyre për personel të mjaftueshëm për realizimin e detyrës. Një veprim i tillë, bie ndesh jo vetëm me nenin 18 të ligjit nr. 84/2016, për shkak se struktura që po miratohet nuk është propozim i vetë organeve të rivlerësimit”.
Më tej thuhet në letër se “Kuvendi ka detyrimin kushtetues të mbështesë veprimtarinë e organeve të rivlerësimit, duke i mundësuar atyre të gjithë mbështetjen me burime njerëzore dhe financiare që kërkohet”. Mungesa e burimeve njerëzore dhe financiare do të sillte pasoja në proces.
“Mungesa e mbështetjes me burimet e mjaftueshme njerëzore do të sillte vënien përpara faktit të kryer të organeve të vettingut, nëpërmjet informacioneve të përgatitura nga institucionet e treta nën varësinë apo ndikimin e Qeverisë, të cilat do të ishin të pamundura të verifikoheshin nëse ka mungesa të burimeve të nevojshme njerëzore. Gjithashtu, mungesa e burimeve të mjaftueshme njerëzore do të sillte zgjatjen e paarsyeshme të procesit të rivlerësimit, i cili siç shprehet edhe Komisioni i Venecias (paragrafi 98 i Opinionit të Ndërmjetëm) krijon tensione të jashtëzakonshme brenda gjyqësorit, destabilizon punën e tij, rrit mosbesimin publik tek gjyqësori, devijon vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre normale, dhe, si çdo masë e jashtëzakonshme, krijon rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga forca politike që kontrollon procesin”.
Në përfundim, Spaho kërkon nga ONM që të ketë qëndrime aktive edhe gjatë fazës së zbatimit, duke mbajtur nën kontroll veprimet tendencioze të Qeverisë për të ndërhyrë dhe diktuar procesin e vettingut.
“Çdo mungesë vëmendje apo reagimi nga ana juaj, duke lejuar ndërhyrjen e Qeverisë në procesin e vettingut, në çdo drejtim, do të cënonte rendë jo vetëm rezultatet e procesit, por edhe besimin e qytetarëve shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtar në organet e reja të sistemit të drejtësisë që priten të krijohen nga ky proces jetik për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane.”
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.