Pensionet, 26.9 mld lekë deficit – Raport i ulët midis kontribuesve dhe përfituesve
Rreth 172 mijë kontribues i janë shtuar skemës së kontributeve shoqërore në 7 vite, ndërsa po gjatë kësaj periudhe numri i përfituesve ka rezultuar të jetë rritur me 72.5 mijë. Sipas statistikave zyratare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, raporti midis kontribuesve dhe përfituesve, në vitin 2011 ka qenë 1 kontribues 1 përfitues, ndërsa vitin që lamë pas ka qenë 1.1 kontribues dhe 1 përfitues.
Me gjithë reformën e madhe që u ndërmor në sektorin e pensioneve, për të ndryshuar këtë raport, i cili është tepër i ulët, duket se ende nuk janë dhënë efektet e pritura, megjithëse ndryshimi ka filluar. Kështu në vitin 2017 rezultojnë të 734.323 kontribues në skemën e sigurimeve shoqërore dhe 621,186 përfitues pensionesh, ku përfshihen pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare, të ndara sipas kategorive rurale dhe urbane.
Aktualisht skema e pensioneve sërish vuan një deficit të lartë monetar. Të ardhurat nga kontributet e drejtpërdrejta për vitin 2017 janë regjistruar në vlerën e 73.2 miliardë lekëve, ndërsa vetëm shpenzimet për përfitime janë regjistruar në vlerën e 100.1 miliardë lekëve, çka bën që deficiti të jetë rreth 26.9 miliardë lekë, të cilat subvencionohen nga buxheti i shtetit.
Viti 2011 Viti 2017
Kontribues 562,146 734,323
Përfitues 548,675 621,186
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.