Përfitimi i bonusit të qirasë – Udhëzuesi operacional, procedurat dhe kriteret e reja
Familjet me të ardhura të ulëta, që aplikojnë për bonus strehimi pranë Bashkisë së Tiranës, me anë të të cilit u subvencionohet një pjesë e qirasë, do të ndjekin procedura të reja për të përfituar.
Bashkia ka hartuar udhëzuesin operacional që përcakton hallkat në të cilat duhet të kalojnë qytetarë për të përfituar.
Kështu, sipas udhëzuesit, qytetarët plotësojnë një formular aplikimi për bonus strehimi pranë njësive administrative ku banojnë, dorëzojnë një kopje të kartës së identitetit dhe një certifikatë familjare, dhe brenda 7 ditëve kalendarike nga momenti i aplikimit, pas seleksionimit të kërkesave Drejtoria e Strehimit Social njofton aplikuesit nëse janë apo jo përfitues të bonusit të qirasë.
Familjet që rezultojnë të suksesshme në fazën e parë të aplikimi, brenda 15 ditësh, nga moment i njoftimit dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm që vërteton deklarimin dhe vërtetësinë e plotësimit të formularit në bazë të të cilit u shpallën fitues.
Drejtoria e Strehimit Social vlerëson dhe seleksionon dokumentacionin brenda 7 ditëve kalendarike dhe më tej dosjet shqyrtohen nga Komisioni i Strehimit, i cili në bazë të dokumentacionit harton listën e fituesve dhe më pas bën njoftimin e tyre.
Lista përfundimtare shkon për miratim në Këshillin Bashkiak, dhe pas publikimit të saj dhe kontrollit financiar të dokumentacionit nga Drejtoria e Financës, nis shpërndarja e bonusit të qirasë për çdo familje përfituese.
Projekt vendimi pritet të miratohet në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.