Përfitimi nga lehtësitë fiskale – Tatimet udhëzojnë: Hotelet të regjistrohen më vete

Përfitimi nga lehtësitë fiskale që do tu bëhet strukturave turistike nga ndryshimet në ligjin për TVSH, kërkon edhe një hap të ri nga këto subjekte. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Administrata Tatimore iu bën me dijë të gjithë personave të tatueshëm, të cilët, përveç veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese, kryejnë edhe veprimtari të tjera, të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit si persona të tatueshëm më vete.
Kjo pritet të sjellë një riorganizim të veprimtarive ekonomike. Sipas njoftimit, ky proces vlen për të përfituar nga lehtësitë fiskale në fushën e turizmit e synon formalizimin e këtij sektori.
Ndërkohë që këto struktura do të përfitojnë nga ulja e TVSH në fjetje nga 20 % në 6 %, i miratuar në gjysmën e parë të këtij viti. Po sipas Tatimeve regjistrimi në Qendrën Kombëtare e Biznesit duhet të kryhet brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Ky vendim është botuar në Fletoren Zyrtare nr.200, dhe ka hyrë në fuqi që nga data 05.12.2017. Edhe pse ky sektor ka njohur rritje gjatë viteve të fundit, nuk ka një statistikë të saktë se sa është numri i strukturave akomoduese në vendin tonë.
Ndërkohë që ky lehtësim fiskal, pritet të sjellë një statistikë reale të këtyre njësive ekonomike, por dhe uljen e informalitetit të lartë që e ka shoqëruar këtë sektor.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.