Përkeqësimi i motit/Zgjerohen territoret e përmbytura në Shkodër, Kukësi nën dëborë
Reshjet e dendura të shiut, përmbytjet nga ana tjetër reshje dëbore e ngrica. Kjo është situata që paraqitet sot në vendin tonë, ndërsa janë ulur ndjeshëm edhe temperaturat.
Përmbytjet në qarkun e Shkodrës vazhdojnë të zaptojnë territore. Kështu sot llogaritet mbi 5 mijë hektarë tokë dhe 700 shtëpi të rrethuara nga uji në Dajç, Anë të Malit dhe Berdicë. Në Vilun, Baks, Rrjoll si pasojë e stuhisë së erës është rrëzuar transformatori dhe për pasojë janë pa energji elektrike.
Edhe Dajçi është në errësire në disa fshatra nga dëmtimet e shtyllave. Uji ka depërtuar edhe në lagjet periferike Ajasëm e Livadhe ku janë 150 shtëpi të rrethuara nga uji. Erozioni ka dëmtuar rëndë argjinaturat në Ças, Pentar dhe Darragjat. Numri i familjeve të evakuuar ka shkuar në 75, ndërsa një pjesë e shkollave kanë ndërprerë procesin mësimor.
Ekstremet e motit
Në qarkun e Kukësit nga dita e enjte janë kthyer reshjet e dëborës bore me intensitet mesatar në të gjitha pjesët e territorit.
Lartësia e borës në tunelin Kalimashit ka arritur 35 cm, në Valbonë 1 metër e zona të tjera malore deri në 20 cm.
Në Kukës është 10 cm, në Bajram Curr 25 cm dhe në Krumë 8 cm. Akset rrugore nacionale që përshkojnë Qarkun e Kukësit janë nën fenomenin e prezencës së rënies së reshjeve të borës.
Të gjitha akset nacionale duke filluar nga Rruga e Kombit nuk kanë probleme në qarkullim dhe funksionojnë normalisht. Policia rrugore e patrullimit të autostradës ka ngritur postblloqe në disa segmenete duke këshilluar drejtuesit e automjeteve dhe kontrolluar për pajisjet dimërore.
Me zinxhirë qarkullohet në segmente të veçantë si aksi Kolsh-Qaf-Shllak, aksi rrugor Ura e Zapodit-Shishtavec. Nuk ka probleme me furnizimin me ujë të pijshëm dhe emergjenca shëndetësore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.