“Përmirësohen” kompanitë ajrore – Aviacioni Civil: Pak vonesa e anulime fluturimesh gjatë muajit korrik
Pavarësisht pikut të sezonit turistik, sipas të dhënave të Autoritetit të Aviacionit Civil, performanca e kompanive ajrore që operojnë në Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza për muajin korrik është përmirësuar ndjeshëm. Referuar buletinit të këtij dikasteri, gjatë këtij muaji u shënuan vetën 2 anulime fluturimesh dhe 2 vonesa. Ndërkohë që, korrikun e vitit të kaluar vonesat dhe anulimet e fluturimeve ishin në nivele shqetësuese.
Kjo situatë, ndryshon edhe nga muaji qershor I këtij viti, ku u shënua një numër i konsiderueshëm anulimesh e vonesash. Ndërkaq, për muajin qershor nga aeroporti “Nënë Tereza” fluturuan 310,988 pasagjerë, duke shënuar një rritje prej 12% krahasuar me vitin e kaluar. Kompania ajrore “Ernest S.p.A” është mbizotëruese në treg, duke mbuluar fluksin më të madh të lëvizjes së pasagjerëve për muajin Qershor 2019, me 16% të totalin, ndjekur nga Blue Panorama me 14% ndaj totalit.
Krahas numrit të pasagjerëve, edhe fluturimet Charter kanë shënuar rritje prej 14 % krahasimisht me vitin 2018. Ndërkohë që, këto fluturimet për qershorin, zënë 16% të tregut me një numër prej 50,571 pasagjerë. Sa I takon të drejtave të pasagjerëve, Autoriteti i Avaicionit Civil nuk ka publikuar të dhëna mbi kërkesat për kompensim dhe pranimin e tyre.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.