Pikat kufitare, identifikim i dyfishtë – Hyrje-daljet s’do regjistrohen më vetëm nga TIMS, vjen sistemi PISCES kundër trafiqeve e terrorizmit
Nuk do të jetë më TIMS sistemi i vetëm që do identifikojë e administrojë hyrjet dhe daljet në pikat kufitare të Shqipërisë. Është ratifikuar tashmë memorandum ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për instalimin dhe përdorimin e sistemit për krahasimin dhe vlerësimin e sigurt të identifikimit personal i emërtuar (PISCES)”.
Marëveshja ka sjellë krijimin në Ministrinë e Brendshme të sistemit të krahasimit dhe vlerësimit të sigurt të identifikimit personal (PISCES) dhe të shkëmbimit të bazës së të dhënave të këtij sistemi me sistemin total të menaxhimit të informacionit (TIMS).
Sistemi “PISCES”, I cili do të administrohet nga Policia e Shtetit, ka për qëllim regjistrimin e hyrje–daljeve në Republikën e Shqipërisë të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në pikat e kalimit kufitar ku ky sistem do të implementohet, si dhe shkëmbimin e informacionit për verifikimin e terrorizmit dhe të kalimit të paligjshëm të kufirit.
Sistemi i menaxhimit total të informacionit “TIMS” do të ndërveprojë me sistemin e krahasimit dhe vlerësimit të sigurt të identifikimit personal “PISCES”, si plotësues të njëri-tjetrit, në përputhje me nevojat e Policisë së Shtetit, ndërkohë që importimi i të dhënave historike nga sistemi “TIMS” në sistemin “PISCES” do të bëhet për, të paktën, 5 (pesë) vitet e fundit.
Të dhënat që do të importohen nga sistemi “TIMS” në sistemin “PISCES” do të jenë hyrjet dhe daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në pikat e kalimit kufitar, si dhe kategorive INAD/deportiv/refuzuar.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.