Plani Kombëtar “Shqipëria 2030”, Ahmetaj: “Tatim-fitimi 0% për bizneset e vogla. Do të zerohet edhe TVSH-ja”
Plani Kombëtar i Rimëkëmbjes Ekonomike do të quhet “Shqipëria 2030” ka njoftuar në ditën e sotme ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj.
“Synimi i këtij plani është vazhdimi i transformimit ekonomik të Shqipërisë dhe të përmbushë ëndrrën e madhe shqiptare, integrimin evropian” – u shpreh z.Ahmetaj.
Plani do të ketë një masë të rëndësishme, që prek shumicën e bizneseve të vogla. Ashtu siç edhe kryeministri paralajmëroi ditën e djeshme, ku bizneset me xhiro nga 0 -14 milionë lekë, të quajtura të vogla do ta kenë tatim-fitimin në masën 0% deri në vitin 2029, duke e zgjatur kështu periudhën e aplikimit.
“Me këtë mënyrë, iniciativa do t’i bashkohet institucioneve shtetërore në të mirë të buxhetit të shtetit, duke presuar pozitivisht biznesin e madh që të formalizohet çdo ditë e më tepër.” – tha Ahmetaj. Sipas tij, kjo është një ndër masat e para ndërkohë që po mendohen edhe mekanizma të tjera lehtësuese për të shpëtuar bizneset nga kriza e COVID-19.
Një ndër këto sipas ministrit do të jetë edhe zerimi i Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar:
“Zerimi i tatim-fitimit mund të shoqërohet edhe me heqjen e TVSH-së. Kemi angazhuar një sërë specialistësh vendas e të huaj, për Planin Kombëtar për të pasur reflektim për çdo shqiptar që dëshiron të jetojë me punë të ndershme.
Kërkesa e kryeministrit për heqjen e TVSH-së pas kalkulimeve dhe projeksioneve për vite të tëra që i kanë bërë ekonomistët, por edhe të procedurave të mundshme për ta thjeshtuar qasjen që kemi ndaj sipërmarrjes, unë jam pozitivisht i shtyrë të ndaj me qytetarët që shumë shpejt do të kemi edhe lajmin e rëndësishëm për heqjen e TVSH-së.”
Ministri Ahmetaj më tej shtoi se kjo iniciativë pritet të miratohet në parlament brenda këtij sesioni, përpara se ai të mbyllet në fund të korrikut.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.