“Plani për Diasporën”, Rama: Regjistrim të plotë të shqiptarëve

Të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë do të regjistrohen, deklaroi kryeministri Rama gjatë prezantimit të “Planit për Diasporën”. Rama tha se ky regjistrim nuk bëhet vetëm për çështjen e votave, por për të pasur një bazë të dhënash burimesh njerëzore e dijesh. Ky regjistrim do të kryhet vitin tjetër.
“Ministri ka bërë të mundur që në këtë tryezë të gjendet sot një dokument i rëndësishëm si pikënisje që ta çojmë përpara dhe ta mbyllim me sukses regjistrimin e plotë të të gjithë shqiptarëve ku ata jetojnë. Përfshirje e drejtpërdrejtë e të gjithë emigrantëve shqiptarë në procesin më të rëndësishëm të vendimmarrjes në vend, përmes votës. Kjo është një arsye shumë e fortë që asnjë parti politike e përfaqësuar në Parlament të mos mungojë në këtë proces; të mos tregojë, apo lërë të kuptohet ose keqkuptohet se nuk është e interesuar për votën e shqiptarëve jashtë atdheut. Ne jemi të vendosur që vitin e ardhshëm të kryejmë regjistrimin që simbolikisht përkon me vitin e Skënderbeut, të paktën në masën më të madhe. Synimi ynë është që në samitin e dytë të diasporës ne të kemi realisht një rezultat konkret të shqiptarëve jashtë atdheut, si dhe të materializojmë masat konkrete që i vlejnë kësaj reforme të rëndësishme. Edhe pikënisja e unifikimit të shërbimeve konsullore mes Shqipërisë dhe Kosovës i shërben kësaj çështje. Ne besojmë shumë që regjistrimi nuk është çështje numërimi dhe votimi, por më tepër se kaq. Ai i ofron Shqipërisë një bazë të dhënash kapacitetesh burimesh njerëzore, si dhe i krijon një mundësi të re për të shfrytëzuar dijen shqiptare, e cila gjendet e shpërndarë, aty ku gjendet vendbanimet e shqiptarëve jashtë kufijve”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.