Policia Kufitare konfirmon: Ska mbyllje kufijsh me Kosovën dhe Greqinë
Policia e Shtetit ka njoftuar se të gjitha pikat e kalimit me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, janë funksionale dhe vijon përpunimi i dokumentacionit të qytetarëve dhe automjeteve, duke respektuar dhe zbatuar masat e marra për mbrojtjen nga COVID-2019, si dhe për parandalimin e përhapjes së tij.
“Pika e Kalimit Kufitar në Qafë Botë, Sarandë, është funksionale. Për momentin, pika nga pala greke është e mbyllur sepse po kryejnë dizinfektimin dhe menjëherë në përfundim të dizinfektimit, edhe nga pala greke do jetë e hapur,” bën me dije Policia.
Policia e Shtetit këshillon që qytetarët të minimizojnë lëvizjen me mjete në qytetet ku është ndaluar qarkullimi apo në drejtim të qyteteve ku ka Pika Kufitare.
Policia Kufitare po plotëson të gjitha detyrimet për intervistimin e plotësimin e formularëve në të gjitha PKK-të, për të bërë të mundur ndjekjen në vijim të rasteve të dyshuara për shtetas shqiptarë apo të huaj që hyjnë në Shqipëri dhe mund të jenë të infektuar potencialë me COVID-19.
Konfirmimi erdhi si pasojë e informacionit të publikuar gjatë ditës së sotme nga mediat e Kosovës të cilat raportuan mbylljen e kufirit me Shqipërinë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.