Pr.buxheti 2022, projektet që do financohen – Tuneli i Llogarasë dhe 4 lote të Unazës së Madhe, pa financim 3 të tjerë
Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë dhe 4 lote të Unazës së Madhe të Tiranës do të jenë 2 projektet më të mëdha infrastrukturore që do të financohen nga buxheti i shtetit për vitin që vjen. Detajet janë bërë me dije nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku përmes një postimi në rrjetet sociale, teksa paralelisht do të financohet edhe ndërtimi i bypass-it të Tiranës dhe ai i Gjirokastrës.
Tuneli i Llogarasë do të ndërtohet përmes një partneriteti publik-privat 35-vjeçar me një konsorcium turk, që është shpallur fitues me vlerë investimi prej 17 mld lekësh. Ndërkaq, sa i takon Unazës së Madhe, aktualisht janë shpallur kompanitë fituese për ndërtimin e 6 lot-eve, por mesa duket buxheti i vitit do të financojë vetëm 4 prej tyre, që fillon në afërsi të Shkozës, që, duke zbritur në faqen veriore të Kodrës së Priftit e më pas Unaza hyn në zonën e Kinostudios.
Më pas segmenti vazhdon drejt veriut, zbret drejt lumit të Tiranës e më pas bëhet bashkimi me segmentin Babrru – Bregu i Lumit – Kthesa Kamëz. Praktikisht, pa financim për vitin e ardhëm mbetet segmenti nga Sheshi Shqiponja te Bulevardi i ri, ku për një prej loteve edhe tenderi nuk u finalizua me sukses. Paralelisht, Balluku ka dhënë detaje edhe për financimin e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, ku përgjatë vitit 2022 parashikohet të përfundojë investimi në 26 rrjete të ujësjellës-kanalizimeve.
Paralelisht, për vitin që vjen do të investohen 80 mln euro për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit në Bashkinë e Tiranës , 62 mln euro për ujësjellësin e Durrësit, si dhe 70 mln euro për programin kombëtar të modernizimit të sektorit të ujësjellës-kanalizimeve. Ndërkaq, sikurse është bërë e ditur edhe më herët, buxheti i vitit që vjen do të mbështesë sektorin energjetik me 100 mln euro, që sipas qeverisë ndihmon për të mbrojtur konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël nga ndikimi i krizës. Gjithashtu, parashikohet të financohet edhe rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.