Prapaskenat/ Nga Pfizer e COVAX deri te skenari polak. Cilën vaksinën mund të marrë Shqipëria?
Britania e Madhe ka nisur tashmë procesin e vaksinimit të popullatës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu. Vendet e Bashkimit Europian do të nisin zyrtarisht procesin pas pak ditësh, pas kritikave të shumta lidhur me procedurat burokratike që vonojnë nisjen e procesit.
Vendimi i Agjencisë Europiane të Barnave për të bërë më herët( me 21 dhjetor )mbledhjen e aprovimit të vaksinës së zhvilluar nga Pfizer dhe Biontech është shoqëruar nga deklarata e drejtueses së Komisionit Europian Ursula Von der Leyen se procesi i vaksinimit do të nisë me 27 dhjetor njëherësh në të gjitha vendet e Bashkimit Europian.
Me 26 dhjetor 2020, do të dorëzohen dozat e para të vaksinës për të nisur më pas procesin e vaksinimit të kategorive parësore si mjekët dhe të moshuarit.
Duke qenë se kjo vaksinë kërkon kushte të veçanta ruajtje, vende europiane si Gjermania, Italia apo Greqia kanë ndërtuar tashmë planet përkatëse pasi për të përfituar vaksinën, vendet duhet të kenë gati infrastrukturën dhe të kenë bërë aplikimet për të marrë dozat e vaksinave.
Cilat vaksina ‘njeh’ Bashkimi Europian?
Komisioni Europian ka nënshkruar marrëveshjet me 6 zhvillues vaksinash që janë premtuese për të dhënë rezultate pozitive në luftën kundër COVID-19. Dhe pasi të miratohet vaksina e Biotech dhe Pfizer, në vendet e Bashkimit Europian do të nisë menjëherë shpërndarja e 200 milionë dozave të para të vaksinës që do t’u injektohen fillimisht punonjësve të shëndetësisë si dhe të moshuarve. 100 milionë dozat e tjera do të vijnë në një moment të dytë.
Nga ana tjetër, vaksina e dytë në radhë për t’u miratuar është ajo e zhvilluar nga kompania Moderna. Pritshmëritë janë që miratimi i kësaj vaksine të bëhet me 6 janar nga Agjencia Europiane e Barnave.
Nëse miratohet edhe kjo vaksinë, atëhere marrëveshja parashikon dorëzimin e 80 milionë dozave të para brenda pak ditësh dhe e 80 milionë dozave të tjera në vijim. Në këtë mënyrë, pritshmëritë janë që në total, vendet e Bashkimit Europian të kenë në dispozicion deri në fillim të muajit janar 280 milion doza vaksine nga dy kompani.
Po ashtu, pritet që të vijohet edhe me kompanitë e tjera me të cilat janë nënshkruar marrëveshje, si Curevac, Astrazeneca, Johnson&Johnson dhe Sanofi. Për këto vaksina, ende nuk ka të dhëna se kur do të merren në shqyrtim për miratim nga Agjencia Europiane e Barnave por pritshmëritë janë që së paku Astrozeneca të shqyrtohet deri në pranverën e vitit të ardhshëm.
Miratimi i shpejtë i këtyre vaksinave nënkupton shtimin e mënjehershëm të dozave në dispozicion.
Shpërndarja e barabartë e vaksinës, që Komisioni Europian ka marrë përsipër si angazhim, nënkupton se secilit vend do t’i jepen doza të limituara, të bazuara mbi numrin e personelit mjekësor dhe të të moshuarve.
‘Dyert ku ka trokitur Shqipëria për vaksinë ‘
Shqipëria ka pritshmëri se dozat e para të vaksinës dhe procesi i vaksinimit të kategorive parësore si mjekët e të moshuarit të nisë brenda dymujorit të parë të vitit të ardhshëm. Shqipëria, sëbashku me vendet e tjera të Bashkimit Europian kanë marrë premtimin publik nga Komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi i cili deklaroi se po punohet për marrëveshjet në mënyrë që edhe vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin dozat e vaksinës njësoj si vendet e tjera të Bashkimit Europian.
Në daljet publike, përfaqësues të Komitetit Teknik të menaxhimit të pandemisë si zëvëndësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu apo kryeministri Edi Rama kanë zbuluar detaje të rrugës që Shqipëria po ndjek për sigurimin sa shpejt të vaksinës.
COVAX-Përpjekja e parë është bërë me anëtarësimin në aleancën globale për sigurimin e vaksinës, COVAX ku Shqipëria ka bërë edhe pagesën e parë prej gati 4 milionë euro, që i sigurojnë vendit tonë parablerjen e 1.1 milionë vaksinave që mbulojnë 20 % të popullsisë më të riskuar.
Komisionit Europian-Një përpjekje tjetër është ajo me Komisionin Europian, për të cilën është marrë angazhimi për të bërë një shpërndarje të njëtrajtshme mes vendeve të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Negociatat direkte me kompanitë-Nga ana tjetër, nuk ka munguar edhe një takim direkt i kryeministrit shqiptar me Drejtorin Ekzekutiv të firmës Pfizer e cila momentalisht konsiderohet si një nga vaksinat më të sigurta në treg.
Nga ky takim, kryeministri bëri publik lajmin se vaksinimi do të nisë në 2 muajt e parë të vitit 2021. Po ashtu, në këtë postim, kryeministri tha se do të bëhen negociata edhe me dy kompani të tjera Astrazeneca e Oksfordit dhe Moderna. Për këto të dyja, ende nuk ka njoftime nëse janë zhvilluar bisedime konkrete.
Polonia-Zyrtarët shqiptarë pranojnë se kanë zhvilluar diskutime me qeverinë polake për të siguruar në mënyrë direkte doza vaksine. Polonia ka porositur në mënyrë direkte te kompanitë 60 milionë doza vaksine dhe nga sondazhet, një pjesë e madhe e polakëve mund të mos pranojnë të vaksinohen, duke krijuar kështu një stok rezervë vaksinash që mund të jepen si kontribut për vende të tjera.
Një nga opsionet që nuk përjashtohet është që vende aleate të ndihmojnë Shqipërinë me doza vaksine në kuadër të interesave strategjike që kanë.
Cilën vaksinë mund të marrë Shqipëria?
Deri më tani, për Shqipërinë, autoritetet kanë përmendur emrat e tre kompanive zhvilluese; Pfizer, Astrazeneca dhe Moderna. Në rastin më të mirë, dy prej këtyre tre vaksinave (Pfizer dhe Moderna) miratohen nga autoritetet europiane deri në javën e parë të muajit janar. Shqipëria nuk ka një marrëveshje direkte me kompanitë, kështu që do të duhet të presë të përfitojë nga marrëveshjet e dritanishme.
Dhe marrëveshja që ka aktualisht është me COVAX, që pritshmëritë i ka te vaksina e universitetit të Oksfordit, Astrazeneca.
Nga ana tjetër, Shqipëria nuk ka përjashtuar asnjë opsion në tavolinë; përfshirë edhe vaksinën kineze Sinovac, nëse kjo e fundit arrin të marrë certifikimin e sigurisë nga autoritetet shëndetësore ndërkombëtare.
Në fakt, vaksina kineze, ende pa marrë të gjtihë konfirmimet e duhura, është pranuar nga Brazili, Emiratet e BashkuaraArabe dhe sëfundmi edhe nga Turqia. Por deri më tani, autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë ndonjë konfirmim nëse ka pasur bisedime me autoritetet turke apo arabe për sigurimin e vaksinës.
Roli i Turqisë në strategjinë shqiptare të vaksinimit
Në përballjen me pandeminë që në fillim të vitit, Shqipëria mori asistencë nga Turqia me materiale mbrojtëse. Mbështetja turke erdhi në një moment kur të gjitha kanalet globale të sigurimit të materialeve mbrojtjëse ishin mbyllur. E kjo mbështetje nuk është ndalur vetëm këtu. Me 17 dhjetor 2020, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësuesit e Komitetit Teknik për Menaxhimin e pandemisë në Shqipëri, u shfaqën publikisht me Komitetin Shkencor të Turqisë. Në këtë takim, edhe pse nuk u përmend çështja e vaksinës, u sqarua edhe roli që Turqia do të ketë në këtë proces.
Zëvëndësminstrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha se një nga sfidat e mëdha që është përpara është strategjia e vaksinimit që do të ndjekë Shqipëria.
“Kemi diskutuar dhe me kolegët turq dhe është një strategji, të cilën ne do ta prezantojmë shumë shpejt” tha Rakacolli ndërsa konfirmoi rolin që do të kenë ekspertët turq në këtë proces që konsiderohet si nga sfidat më të mëdha pas prodhimit të vaksinës.
Nga ana tjetër, përfaqësues të opozitës kanë shprehur shqetësimin se Shqipërisë i mungon një plan konkret për këtë qëllim.
Vaksina e BioNTech-Pfizer paraqet një sfidë unike logjistike pasi duhet të ruhet në një temperaturë -70 gradë Celsius.
Një sfidë tjetër është se vaksinimi këtë herë nuk mund të bëhet masiv, pasi kjo mund të ndikojë në përhapjen e mëtejshme të virusit.
“Shqipëria është në “det të hapur”, pa impenjim kontraktual, data e sasi të përcaktuara dhe pa llojin e vaksinës, e lidhur vetëm me Covax e vendeve të varfëra, në vështirësi. Akoma më keq, nuk kemi as strukturë reale për atë proces kompleks.
Nga ana tjetër, Brukseli mund të ndihmojë me 65 milionë doza vendet partnere, por vaksina do t’u jepet vendeve partnere mbasi të kenë ndërtuar një strukturë vaksinimi dhe që garantojnë sigurinë e procesit teknikisht e ndaj korrupsionit.
Kjo strukture që dhe ne duhet ta kishim ngritur është e komplikuar e kërkon një strukturë logjistike të veçantë në nivel vendi dhe një “zinxhir special ftohës” që nga aeroporti e deri te qytetari, laboratorë etj. për ndjekjen edhe imunologjike të të vaksinuarve, qindra mjekë, infermiere, etj. të trajnuar, që të bëjnë si vlerësimin shëndetësor të kandidatit për vaksinë, ashtu dhe ndjekjen e tij mbas saj” ka deklaruar Tritan Shehu, përfaqësues i opozitës e ish ministër i Shëndetësisë.
Cilat janë vaksinat më të sigurta?
Deri më tani vaksina e vetme e miratuar nga autoritetet shëndetësore amerikane dhe europiane është ajo e zhvilluar nga Pfizer. Ndërkohë, janë tre vaksina që kanë arritur deri në fazën e tretë të testimeve klinike; ajo e AstraZeneca’s, e Janssen dhe e Moderna’s.
Vende si Kina, Rusia apo Irani kanë deklaruar se kanë zhvilluar vaksina por asnjëra prej tyre nuk është marrë në konsideratë nga autoritetet shëndetësore amerikane dhe europiane.
Sa i përket sigurisë, rezulton se vaksinat e Modernas dhe Pfizer/Biotech janë efektive në 95% të rasteve. Ndërkohë vaksina ruse Sputnik është 92 % ndërsa vaksina e Oksfordit Astrazeneca është 70 %. Pritshmëritë janë që përqindja e efektshmërisë së vaksinës së Oksfordit të rritet edhe më tej në testimet që po kryhen.
Pavarësisht kësaj, vaksina e Oksfordit konsiderohet si një nga vaksinat më të përshtatshme për shpërndarje globale për faktin se kërkon kushte të thjeshta ruajtje dhe mund të transportohet lehtësisht edhe në vendet më të varfëra të botës që nuk kanë një sistem shëndetësor të zhvilluar e si rrjedhojë u mungon edhe zinxhiri përkatës teknologjik për ruajtjen e saj.
Të panjohurat e procesit
Një nga sfidat më të mëdha për të gjitha vendet tashmë është sigurimi i dozave të vaksinës.
Duke qenë se prodhimi i të gjitha dozave të nevojshme për vaksinimin e popullatës në rang global kërkon kohë, kjo ka krijuar një garë mes shteteve; një garë ku fitojnë ata që kanë më shumë pushtet, financa e mbi të gjitha, që veprojnë më shpejt.
Ndaj edhe në kushtet aktuale, një nga të panjohurat e mëdha është se cilën vaksinë do të marrë Shqipëria.
Probabiliteti më i madh, për momentin, është që vaksinat të jenë ato të Astrazenecas dhe/ose Pfizer.
Një e panjohur tjetër është edhe Plani i Vaksinimit. Edhe pse Shqipëria ka një traditë të konsoliduar të vaksnimit masiv, sërish natyra e sëmundjes së bën të komplikuar procesin. Periodikisht Shqipëria kryen vaksinimin masiv të popullatës për gripin stinor, megjithatë kjo nuk është një element domosdoshmërisht sigurues se edhe ky proces do të jetë i lehtë. Ndryshe nga fushatat e mëparshme si në rastin e poliomelitit apo kolerës, këtë herë rrjeti i vaksinuesve duhet të ndjekë një itinierar vaksinimi që nuk lejon grumbullimet e personave, me qëllim që të mos përhapet më tej virusi Sars Cov-2.
Të panjohura të tjera janë edhe proceset e administrimit të vaksinës, rrjeti i frigoriferëve për ruajtjen e dozave, vendet ku do të zhvillohet procesi i vaksinimit e mbi të gjitha mjaftueshmëria e personelit të madh mjekësor që do të duhet të angazhohet në proces.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.