Prezantohet reforma e re e fiskalizimit: Denaj: Ja çfarë do të ndodhë me kasat fiskale që kanë bizneset
Ministrja e Financave Anila Denaj dhe drejtuesja e Tatimeve, Delina Ibrahimaj prezantuan para medias reformën e re të fiskalizimit që do të aplikohet duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Reforma synon të sjellë një mënyrë të re të raportimit të shitjeve nga bizneset.
Me ligjin e ri, që pritet të hyjë plotësisht në fuqi në vitin 2021, bizneset do të lëshojnë fatura elektronike, si në marrëdhëniet mes tyre, ashtu edhe në shitjet për konsumatorët.
Për shitjet cash, këto fatura do të zëvendësojnë kuponin tatimor. Të gjitha shitjet do të raportohen në kohë reale në sistemin e administratës tatimore dhe jo më në fund të ditës, siç ndodh sot. Platforma elektronike e faturave do të mundësojë kryqëzimin e informacionit dhe ndjekjen e rrugës së produktit që nga prodhuesi apo importuesi e deri te konsumatori final. Sipas Ministrisë së Financave, kjo do ta bëjë më të lehtë gjurmimin dhe zbulimin e evazionit fiskal dhe do të pakësojë kontrollet fizike te bizneset.
Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, ministrja Denaj tha se për bizneset nuk do të ketë nevojë për të blerë kasë fiskale të re.
“Nuk do të ketë kasë të re. Do të ketë një mënyrë të re të raportimit të të dhënave. Do të ketë një protokoll që është punuar nga kompania që mbështet procesin. Do të mundësojë një sistem të ri të pajisjeve elektronike fiskale. Kjo do të jetë gjenerata e re e kasave fiskale dhe do të ketë një kosto që mund të jetë aplikacioni. Por do të jetë falas për tatimpaguesit. Ndërkohë besojmë se të gjitha bizneset që kanë një pajisje kompiuterike të lidhur me kasat fiskale mund ta shkarkojnë aplikacionin në telefonët e pajisjet e tyre” tha Denaj.
Për më shumë lexo:
Prezantohet “fiskalizimi” – Fatura elektronike dhe raportim shitjesh në kohë reale
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.