Prezenca e bizneseve amerikane, Tabaku: DASH e rendit Shqipërinë në fund të listës së vendeve mikpritëse
Shqipëria përjashtohet nga lista e mikpritjes për bizneset amerikane. Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, në një dalje për mediat është ndalur në krizën ekonomike që po kalon vendi. Sipas Tabakut në Shqipëri nuk ka vend për investimet e huaja amerikane pasi në vend nuk ka stabilitet sa i përket organeve të drejtësisë.
Sot në Shqipëri nuk ka më vend për investitorë amerikanë, sepse atë e kanë zënë investitorët rusë e gjeorgjianë. Sot të vetmit që marrin tendera janë miqtë e kryeministrit. Sot çdo PPP jepet nga qeveria pa garë, me ofertë të pakërkuar. Sot ligjet në parlament vijnë me emra biznesesh. Sot praktikisht në ekonomi nuk ka më garë. Sot në Shqipëri nuk ka investitorë amerikanë dhe investitorë të tjerë të huaj, sepse askush nuk investon në një vend ku çdo pushtet e ka marrë kryeministri. Askush nuk investon në një vend ku Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë është asgjësuar nga kryeministri”, tha Tabaku.
Deputetja e PD-së ka thënë se opozita ka një planë të mirëfilltë për të krijuar mjedisin e duhur ekonomik për investitorët e huaj.
“Partia Demokratike ka një plan të qartë e të saktë për ekonominë dhe është e vetmja forcë që mund ta kthejë ekonominë në duart e sipërmarrësve dhe tregtarëve të ndershëm, të rikthejë Shqipërinë në vendin më mikpritës për investimet amerikane dhe investimet e tjera të huaja në rajon”, shtoi deputetja e PD.
Departamenti Amerikan i Shtetit e ka renditu Shqipërinë në fund të listës së vendeve mikpritëse për investimet amerikane.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.