Progres-Raporti i KE / Soreca: ‘Është koha që BE-ja të mbaj premtimin’. Rama: ‘Raporti është udhërrëfyes për ne’
Komisioni Europian ka publikuar Progres-Raportin 2021 për Shqipërinë, ku ka konfirmuar ecurinë e qëndrueshme të vendit tonë dhe përmbushjen e detyrave të procesit, duke nënvizuar po ashtu edhe sfidat e mëtejshme, në një rrugë që vazhdon, teksa Shqipëria pret nga Këshilli Europian të mbajë fjalë për uljen në tryezë me Shqipërinë për negociatat e anëtarësimit.
Gjatë ditës së sotme kryeministri Edi Rama ka mbajtur një konferencë e përbashkët me Ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca.
Teksa nënvizoi vlerësimet pozitive të raportit, Rama tha se qeveria e di mirë që “Shqipëria sot përtej progresit nuk është një vend që mund të bëhet sot anëtare me të drejta të plota të BE”.
Fjalimi i Ramës:
“Raporti që marrim sot është një tjetër në një vazhdë të disa të tjerëve tanimë, ku KE e ri konfirmon dhe një herë bindjen e vet se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të nisur edhe formalisht atë që është vendosur më parë, në Këshill, dhe për të ndërmarrë bashkë me BE diskutimin e anëtarësimit”.
“Po ashtu dua të theksoj diçka që e kam theksuar vijimisht në gjithë instancat dhe forumet e nivelit më të lartë dhe në takimet e mia bilaterale me liderët e BE se ne gjemë tek KE një partner të drejtë, të paanshëm, partner rigoroz që e vlerëson progresin duke u bazuar në hulumtimin e fakteve në terren”.
“Për këtë arsye do e përsëris, nuk ka, nuk gjendet në asnjë kryeqytet të vendeve anëtare një strukturë e ngjashme apo që mund ta konkurrojë për nga cilësia e hulumtimit dhe për nga drejtësia e gjykimit delegacionin e KE dhe të BE në vendin tonë”.
Bëhet fjalë për një skuadër të madhe që punon 24 orë.
Ndërsa kur dëgjojmë pranë afateve e ditëve të vendimmarrjeve në nivelin e liderëve
se në një vend ngrihen pretendime këto janë të gjitha politikë, nuk janë gjykime teknike.
Ndaj raporti i progresit është dokumenti për ne udhërrëfyes, ndërkohë të gjitha të tjerat janë interferenca me natyrë politike të mirëkuptueshme.
Çohet njëri del këtej vjen një grup deputetësh shfaqen, bëjnë deklarata apo nxjerrin promemorie që janë të lidhur me hallet që kanë ata, e natyrshëm ne mund të mos i marrim parasysh por s’ka krahasim në atë çfarë ofron raporti për objektivitetin.
Nga ana tjetër raporti i progresit s’është vetëm një dokument që bën vlerësime pozitive.
Por dhe që nxjerr në pah sfidat, problemet.
Shqipëria sot përtej progresit nuk është një vend dhe ne e dimë mirë që mund të bëhet sot anëtare me të drejta të plota të BE dhe sikur të donin të tjerët që nuk duan e nuk duan se në këtë moment në Europë nuk ka një oreks për zgjerimin por kjo do të thotë që për të shkuar në atë pikë ne duhet të vazhdojmë përpjekjen.
Ne nuk duhet të vlerësojmë dhe gjykojmë gjithë përpjekjet tona në bazë të sa, si pse, hapet apo nuk hapet drita jeshile në çdo stacion në kohën që ne e meritojmë sipas KE, se ky proces nuk bëhet se na e kërkojnë në Bruksel apo Paris, ne nuk e bëjmë për ta fare, por për veten tonë e fëmijët që në këtë vend gjeneratat e tjera të kenë një shtet që funksionon me të njëjtën cilësi si një vend anëtar i BE.
I pyetur nga gazetarët se çfarë duhet të bëjë Shqipëria më shumë që të ulet në konferencën e parë ndërqeveritare. Ambasadori i BE-së në Tiranë theksoi se tashmë është koha që BE-ja të mbajë premtimin.
“Unë mendoj se integrimi ndodh dita-ditës, dhe Shqipëria po integrohet dita-ditës në BE edhe në sajë të shkëmbimeve të frytshme që ndodhin edhe në anën e asistencës financiare të BE-së.
Për hapat e mëtejshëm, unë kam qenë tejet i qartë se Shqipëria ka dhënë rezultate dhe tani është koha që BE-ja të mbajë premtimin e vet, pra shtetet anëtare të lexojnë raportin dhe të gjejnë pikat e forta për të kaluar ato çështje dypalëshe që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të ulen në atë tryezë”.
Ndërkohë, kryeministri Rama theksoi se Shqipëria i ka arritur rezultatet, por është BE-ja që nuk po i arrin.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.