Projektet me “peshë” për 2019-ën – Cilat janë ndërhyrjet e reja në Tiranë
Një sërë hapësirash do të ndryshojnë “fytyrën” në kryeqytet gjatë vitit të ardhshëm dhe në vazhdim.
Në buxhetin 2019, Bashkia e Tiranës ka parashikuar financimin e disa projekteve të reja, implementimi i të cilave do të ndikojë në turizëm por dhe në ofrimin e më shumë shërbimeve për qytetarë. Kështu një ndër këto projekte është rikonstruksioni i Piramidës, si një objekt ikonë për kryeqytetin. Në buxhet janë parashikuar rreth 356 milionë lekë, ku ndërhyrjet synojnë transformimin e saj në një qendër kulturore të pavarur për kryeqytetin.
Po ashtu, një ndërhyrje tjetër e rëndësishme është rehabilitimi i Bulevardi Zogu i 1, konkretisht segmenti rrugor i cili lidhë sheshin Skënderbej me Bulevardin e ri. Rehabilitimi i këtij segmenti parashikon ndërhyrjen për përmirësimin e shtresave rrugore, trotuareve, rrjetin e kanalizimeve të ujërave të shiut, ndriçimin rrugore, gjelbërimit. Ky projekt parashikon gjithashtu unifikimin e fasadave si dhe krijimin e 4 mikro hapësirave gjatë këtij aksi të cilat do të shërbejnë për aktivitete të ndryshme.
Në këtë projekt nuk parashikohet ndryshimi i profilit tërthor të rrugës, ai do të mbetet i njëjtë. Ky projekt kap një vlerë prej 858 milionë lekësh. Po ashtu, është parashikuar një fond i konsiderueshëm prej 739 milionë lekësh ri konceptimin e kopshtit zoologjik, për ta bëra atë sa më atraktiv për të gjithë grup moshat. Sipërfaqja e ndërhyrjes është afërsisht 5 Ha. Bashkia parashikon gjithashtu edhe ndërhyrje në Parkun Rinia, me vlerë financiare prej rreth 163 milionë lekësh, për t’iu përshtatur kërkesave të kategorive të ndryshme të qytetarëve që frekuentojnë.
Parku do të organizohet në mënyrë të tillë ku do të ketë disa mini sheshe. Të katërta këto projekte arrijnë një vlerë investimi prej rreth 2.1 miliardë lekësh.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.