Projektligji për gazin natyror hidhet për konsultim – Çfarë është “gjendja e krizës” e ndarë në 3 faza?
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin e sektorit të gazit natyror. Projektligji konsiston në përditësimin dhe krijimin e elementëve të rinj që kanë të bëjnë me sigurinë e furnizimit me gaz natyror.
Pikat që parashikohen të shtohen janë në kuadër të rregullores së Bashkimit Europian, e cila do të “shkrihet” në aktet ligjore, të ligjit për sektorin e gazit natyror. Në thelb, parashikohet një plan veprimi parandalues, si dhe një plan emergjence i cili konsiston në masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e furnizimit me gaz.
Projektligji parashikon edhe deklarimin e një gjendje krize të furnizimit me gaz, të ndarë në 3 faza:
- a) niveli i paralajmërimit të hershëm (‘paralajmërimi i hershëm’): kur ka informacion konkret, serioz dhe të besueshëm se mund të ndodhë një ngjarje që ka të ngjarë të rezultojë në përkeqësim të konsiderueshëm të situatës së furnizimit me gaz dhe ka të ngjarë të çojë në alarm ose të shkaktojë nivelin e emergjencës; niveli i paralajmërimit të hershëm mund të aktivizohet nga një mekanizëm të paralajmërimit të hershëm;
- b) niveli i alarmit (‘alarmi’): nëse ndodh një ndërprerje e furnizimit me gaz ose një kërkesë jashtëzakonisht e lartë për gaz që përkeqëson seriozisht situatën e furnizimit me gaz, por tregu është akoma në gjendje të menaxhojë atë ndërprerje ose kërkesë pa pasur nevojë të përdorë masa jo të bazuara në treg;
(c) niveli i emergjencës (’emergjenca’): kur ka kërkesa jashtëzakonisht të larta për gaz, ndërprerje të konsiderueshme të furnizimit me gaz ose përkeqësim tjetër të rëndësishëm të situatës së furnizimit me gaz dhe të gjitha masat përkatëse të bazuara në treg janë zbatuar, por furnizimi me gaz nuk është i mjaftueshëm për të plotësoni kërkesën e mbetur për gaz, kështu që duhet të futen masat shtesë jo të bazuara në treg me qëllim, në veçanti, për të mbrojtur furnizimet e gazit për klientët e mbrojtur në përputhje me standardet e furnizimit me gaz.
Ndër të tjera, projektligji parashikon rritje të bashkëpunimit rajonal dhe të solidariteti.
“Për të garantuar një furnizim të sigurt në tregun e brendshëm të gazit natyror, Ministria dhe autoritetet përgjegjëse vendase në procesin e hartimit të vlerësimeve të rrezikut dhe planit të veprimit parandalues dhe planit të emergjencës, bashkëpunojnë me autoritetet përgjegjëse të vendeve fqinje, anëtare të BE-së, si dhe të palëve të tjera të Komunitetit të Energjisë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe dypalësh. Ky bashkëpunim mund të përfshijë, veçanërisht, identifikimin e bashkëveprimi i rrezikut dhe korrelacioni dhe konsultimet për të siguruar koherencën ndërkufitare të planeve të veprimit parandalues dhe planeve emergjente” shkruhet në projektligj.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.