Promovimi i artit – Mbyllet Bienalja, Veliaj: Veprat do vijojnë të ekspozohen

Bashkia e Tiranës po i kushton rëndësi investimeve dhe promovimit të artit në kryeqytet, si mundësi edhe për tërheqjen e turistëve. Edicioni i 18 i Bienales “Mediterranea 18”, e cila mbyllet më 9 Maj, ndërsa gjatë pesë ditëve të saj ka zgjuar interesin e shumë qytetarëve të Tiranës, si dhe të artistëve të rinj, të cilët patën mundësi që të shijojnë artin bashkëkohor evropian.
Ish-godina e Ambasadës Jugosllave ishte njëra prej hapësirave të kryeqytetit, e cila u kthye në strehën e artistëve që performuan në fushën e arteve pamore dhe arteve të aplikuara.
“Ftojmë të gjithë të rinjtë, por edhe moshën e prindërve tanë, që të vijnë të vizitojnë disa nga 20 pikat me instalacione. Edhe pse Bienalja mbaron në datën 9 Maj, shumë prej ekspozimeve do të vazhdojnë të ekspozohen deri në fund të Majit. Ndaj besoj se do të kemi mjaftueshëm kohë, që me nxënësit e shkollave dhe me këdo tjetër që do artin dhe kulturën e mirë, të kemi mundësi të ekspozojmë sa më shumë prej vlerave që ka sjellë ‘Bienalja e Mesdheut’”, u shpreh kryebashkiaku.
Veliaj theksoi se pavarësisht situatës politike, Bashkia e Tiranës do të fokusohet në vazhdimin e jetës artistike dhe punëve në qytet.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.