Promovimi i produkteve shqiptare – Meta: Më shumë mekanizma financiarë për rritjen e konkurrencës
Shqipëria ka nevojë për më shumë mekanizma financiarë, fiskalë dhe promovues për prodhimin vendas, që do të ndihmonin për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve dhe “brandeve” shqiptare, përfshirë çertifikimin e tyre me destinacion eksportin në tregjet e ndërkombëtare.
Ky ka qenë apeli që presidenti, Ilir Meta, i bëri përfaqësuesve të “Forumit të Përbashkët të Prodhuesve Shqiptarë” në takimin e zhvilluar në presidencë.
Ky forum është krijuar rishtaz si një “platformë lobimi” për promovimin e produkteve shqiptare, përfaqësuar nga Dhomat e Tregtisë së Shqipërisë, të Kosovës dhe Maqedonisë.
Presidenti përgëzoi dhe mbështeti iniciativën e krijimit të tij si një domosdoshmëri e stadit aktual të zhvillimit ekonomik, por dhe në kuadër të axhendës sonë të përbashkët të anëtarësimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi, Presidenti ka renditur disa prioritete që duhet të jenë në axhendën ekonomike ndër të cilat përmirësimi i klimës së biznesit, heqja e barrierave tarifore dhe jo tarifore mes vendeve, thithja e investimeve të huaja direkte, parashikueshmëria fiskale, garancia juridike dhe kontraktuale.
Vetëm në këtë mënyrë, mund të fuqizojmë “Hapësirën Ekonomike Mbarëkombëtare” e cila do t’i paraprinte dhe ndihmonte krijimit të “Zonës Ekonomike Rajonale” që duhet të funksionojë si një “paradhomë” e anëtarësimit në BE dhe integrimit të plotë ekonomik në Tregun e Përbashkët Europian.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.